Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga shirat e mëdha dhe vërshimet në Slloveni është rritur në gjashtë, raportuan mediat lokale të hënën.
Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, i ka përshkruar shirat rrëshek dhe vërshimet e mëdha – të cilat e goditën vendin e Alpeve me dy milionë banorë – si fatkeqësinë më të madhe natyrore që nga shpallja e pavarësisë tri dekada më parë.
Shirat dhe rrëshqitjet e dheut, që nisën të enjten, kanë përmbytur pjesë të mëdha të Sllovenisë qendrore dhe veriore, duke e bllokuar qasjen në fshatra dhe duke e penguar trafikun.
Të dielën, ekipet emergjente e nxorën trupin e një burri 35-vjeçar nga një lumë afër fshatit Mirna Perc, në lindje të vendit. Një burrë tjetër, i cili po merrte pjesë në operacionet e pastrimit, u gjet i vdekur pasi kishte rënë në një gropë uji pranë qytetit Kamnik, afër Lubjanës, raportuan mediat lokale.
Trupat e dy sllovenëve dhe dy qytetarëve holandezë u gjetën më herët. Të hënën, punëtorët e shpëtimit u përpoqën t’i hapnin rrugët në vendet e thella dhe izoluara, derisa edhe i vlerësuan dëmet, për të cilat Qeveria e vendit ka thënë se mund ta tejkalojnë shifrën e 500 milionë eurove.