12 zyrtarë të lartë socialistë, disa prej tyre bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit Rama, disa prej të cilëve ndër më të afërtit në vite, janë sot ose ish të dënuar, ose pas hekurave, ose nën hetim.
Më i fundit që iu shtua listës së ‘të dymbëdhjetëve’ nga hetimet e SPAK është një nga miqtë më të hershëm të kryeministrit, Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë, i akuzuar vetëm disa ditë më parë për “shpërdorim detyre në bashkëpunim”.
Ilir Beqaj akuzohet nga SPAK për koncensionin e sterilizimit ne shëndetësi, një koncesion i denoncuar nga opozita dhe i konkretizuar në dyert e drejtësisë nga Endri Shabani në emër të lëvizjes ‘Thurje’. Gjykata e Posaçme i komunikoi Beqajt këtë të hënë se përse kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si dhe ndalimin për daljen jashtë Shqipërisë.
Në fakt, i pari njeri i rëndësishëm i socialistëve që u akuzua dhe u dënua nga drejtësia e re ishte një yll në ngitje politike deri në atë kohë, ish-Ministri i Brendshëm, Samir Tahiri. Ai u dënua nga Gjykata me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa kreu vetëm 16 muaj burg. Kjo pasi Gjykata e Elbasanit argumentoi lirimin e tij me një raport të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku theksohej se bashkëshortja e ish-ministrit të Brendshëm, për shkak të problemeve shëndetësore, nuk mund të kujdeset për dy fëmijët e çiftit.
Për nga rëndësia hierarkike në detyra shtetërore, këtë listë e kryeson ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i akuzuar ndoshta edhe më ashpër se të gjithë bashkëpunëtorët e Edi Ramës në këto 10 vite pushtet. Ahmetaj, aktualisht në arrati, i larguar nga Shqipëria vetëm disa orë përpara se të bëhej publik vendimi i SPAK për të kërkuar ndalimin e tij, akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ahmetaj ka drejtuar Financat dhe Rindërtimin, duke qenë numri dy i Qeverisë me postin e fundit, nga ku ka firmnosur edhe dhjetëra vendime në emër të kryeministrit Rama.
Ish ministri tjetër, Lefter Koka, i larguar fillimisht nga socialistët drejt LSI-së e më pas i afruar nga vetë Rama në PS, bart sot një nga çështjet e konsideruara si afera korruptive më e madhe e këtyre 30 viteve, ajo e inceneratorëve. Bashkë me Kokën në qeli është dhe ish deputeti Alqi Bllako, dikur ish Drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve.
Ndërkaq, ish kryebashkiakët duket se vijojnë të jenë një listë edhe më e gjatë. Pa përmendur ata që janë paraqitur në SPAK por pa akuza ndaj tyre, janë gjashtë ish krerë bashkie që ose kanë kryer dënimin, ose janë në qeli ose nën hetim.
Vangjush Dako, për nga rëndësia si në parti ashtu edhe për lidhjet me Edi Ramën, është sot në qeli, pasi ndaj tij është marrë masa arrest me burg. Dako, I përmendur edhe në dosjet e hetuara gjatë, si ajo 339, për manipulime në zgjedhje, është sot në qeli vetëm në lidhje me tenderin për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila në Durrës. Ai pret ende përfundimin e hetimeve që Gjykata e Posaçme të vendosë për fatin e tij.
Një tjetër i afërt bashkëpunëtor i kryeministrit, Safet Gjici, ish-kryebashkiak i Kukësit, është sot nën akuzë nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion, pas video-skandalit seksual të publikuar në media. Ai u akuzua se i dha ‘tenderin për sterilizimin e qenve’ një gruaje më të cilën u denoncua pas një video ku shfaqej në një aferë seksuale në zyrën e tij.
Fatos Tushe, ish-kryebashkiaku i Lushnjës, vuajti dënimin prej 2.4 vitesh burg, të dhënë nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK. Tushe u akuzua se abuzoi me tenderat e pastrimit te kanaleve.
Kryebashkiaku i katërt i vënë në akuzë nga SPAK është Lefter Alla, ish-Kryetar i Bashkisë Bulqizë, i cili akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.
Kryebashkiaku i pestë nga radhët e PS-së, i cili akuzohet nga SPAK është Fran Tuci, ish-kryetar i bashkisë së Fushë-Arrzit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.
I 6-ti kryebashkiak, i cili po hetohet nga SPAK është ai i Rrogozhinës. Edison Memolla akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion aktiv ne zgjedhjet e 6 marsit.
I shtati Kryebashkiak nga radhët e PS, i akuzuar nga SPAK është Kreshnik Hajdari. Kryebashkiaku i Kuçovës akuzohet për falsifikim dokumentash ne formularin e dekriminalizimit, pasi nuk ka vet deklaruar një dënim që ka marrë nga Gjykata e Janinës.
Veprat për të cilat akuzohen 12 zyrtarët e rëndësishëm të PS-së, të cilët kanë rënë në rrjetën e SPAK, janë konsideruar nga krye socialisti Rama si ‘përgjegjësi individuale’. BW