Ndërsa nesër (e mërkurë) mbushet një javë nga vrasja e 30 vjeçares Liridona Ademaj, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, në opinion po vazhdon të diskutohet për pista të ndryshme të hetimeve lidhur me “motivin” që mund të ketë quar kryerjen e aktit makabër.
Në paraburgim për këtë rast ndodhet bashkëshorti i saj, Naim Murseli i dyshuar si porositës i vrasjes, Granit Plava i dyshuar si doras që vet e ka pranuar krimin dhe Kushtrim Kokalla si ndërmjetësues për organizimin e vrasjes.
Naim Murseli ishte këshilltar i afërt i ish presidentit të Kosovës dhe ish – ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
Ai ndante në profilin e tij në Facebook shumë fotografi nga aktivitetet politike e udhëtimet me Pacollin.
Murseli, që në fillim para hetuesve kishte pranuar se e ka porositur vrasjen e gruas së tij, të dielën para Gjykatës e ka mohuar këtë gjë.
Mbrëmë në emisionin Top Story të Top Chanel, nga ekspertët e sigurisë dhe kriminalistikës janë dhënë disa versione për “motivin” e vrasjes së Liridona Ademajt.
Aty u përmend edhe një pistë e papërmendur deri më tash. Eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës, Ervin Karamuco, tha se në lidhje me rastin po hetohen edhe njerëz të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë histori. Kjo për faktin se Murseli kishte një datë të përcaktuar për kryerjen e vrasjes.
“Është profilizuar deri diku, ka çrregullime të personalitetit narcistik, na çon në mendje gruan e Guccit pse e vrau Guccin që u bë film dhe u diskutua gjerë e gjatë. E shikoj në fotografi (Naimin) që do të dali, të evidentohet etj etj në sallone ku gjepi nuk ia mbante. Nga kjo kanë lindur edhe dyshime nga Prokuroria dhe Policia, kur ky ka kaq të ardhura ç’ne bën këtë jetë kaq të madhe luksi? Ku i gjen paratë? Mos mendoni se nuk po hetohet, po hetohet edhe për njerëz tjerë që mund të jenë përfshirë në gjithë këtë histori, vetëm nga një fakt, nga nxitimi. Ky ka pasur një datë të përcaktuar se kur duhej bërë vrasja. Dhe kjo datë, ky nxitim ka mundësi që mund të jetë i shtyrë nga një person tjetër, që o të vrasësh gruan o të vritesh ti”, u shpreh mes tjerash ai.
Sipas ekspertit, këtu ka një sekret shumë të madh i cili çon te motivi i vrasjes,
“Pra askund, deri më sot tek të tre personazhet që janë në paraburgim nuk e thotë se a janë këto mosmarrëveshje të tilla, të asaj peshe që ky mund të ekzekutohej vet ose nëpërmjet të tjerëve gruan e tij, nënën e fëmijëve të tij, dhe të jetë aty i pranishëm. Edhe kjo është se ai mund të kërkonte nga ana e vrasësit që ngjarja të ndodhte p.psh. “duke parkuar makinën gruaja dhe s’janë as fëmijët as unë të pranishëm”. Pse s’e bëri kështu?
Edhe analisti Arian Curri i ftuar në emision, tha se në këtë rast ka diçka tjetër shumë herë më të rëndë se kaq, ndërsa shprehu besimin që Prokuroria në Prishtinë ta zbardhë.
“Cilin sekret e mori në varr Liridona Ademaj?
Ose ka qenë i mbrojtur nga njerëz të pushtetshëm në Prishtinë në kuptimin që “hiqe se po na nxjerrë një sekret të madh, vrite se do të të mbrojmë ne”. Se vrasja është bërë kaq banale, kaq diletante kaq amatore.
Prokuroria e Prishtinës të na shpjegojë cilin sekret e mori me vete Liridona, ka marr me vete një sekret për shkelje ligji për arsye të krimit të organizuar të trafiqeve, të pastrimi pasioni apo ka marr një sekret për krim pasioni”, ka deklaruar ai.
Deklaratat mund t’i gjeni nga minuta e 50-të.