Publikohen të tjera foto nga ngjarja e rëndë në Rrëshen, ku u ekzekutua 60-vjeçari, Martin Marku Bardhi.
Siç shihet edhe në foto, tavolina me filxhanët e kafes të kthyer përmbys. Pamjet janë kapur nga kamerat e sigurisë në lokalin ku u ekzekutua Bardhi dhe u plagosën tre persona të tjerë.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë spitalit të qytetit dhe Komisariatit të Policisë, ndërsa dyshohet për larje hesapesh. Personat që mbetën të plagosur Olti Gjini, Ilir Bardhoku, Indrit Bardhi (djali xhaxhait të viktimës) janë dërguar në spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmë mjekësore.
Rreth orës 10:40 të paradites së sotme Martin Marku Bardhi së bashku me tre persona të tjerë ishte në një nga lokalet e qendrës së Rrëshenit, kur dy persona të maskuar kanë qëlluar me breshëri teksa ishin duke lëvizur me makinë.
Sipas rindërtimit të skenës së krimit, autorët kanë vijuar të qëllojnë edhe në lëvizje duke u larguar në rreth 20 metra distancë.
Bardhi, i cili ka qenë edhe objektivi i atentatit ka humbur jetën, ndërsa personat e tjerë në të njëjtën tavolinë janë plagosur.
Objektiv i atentatit, publikohen pamjet brenda lokalit ku u vra Martin Bardhi
Sakaq, policia ka ngritur grupe kontrolli për kapjen e dy personave ende të paidentifikuar që qëlluan me armë zjarri ndaj viktimës.
Autorët, të cilët dyshohet se janë vrasës profesionistë, janë larguar nga vendngjarja me anë të një mjeti fuoristradë “Jeep”, ngjyrë të zezë, e cila është djegur në fshatin Gëziq.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimin duke mbledhur pamjet filmike të kamerave përreth zonës.