Deputetja demokrate Jorida Tabaku përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka ironizuar situatën aktuale ekonomike në vend.
Sipas Tabakut kriza ekonomike është kriza e shpresës.
Postimi i plotë i Tabakut:
Kriza ekonomike është kriza e shpresës
Shqipëria për 2023 regjistroi edhe një herë pabarazinë më të lartë mes një pakice që përfiton lehtësira në taksa dhe shumicës që paguan barrën më të rëndë. Veç kësaj, pabarizia mes rajoneve ndjehet gjithnjë e më shumë. Ndër 12 qarqe shumica e veriut vazhdon të ketë të ardhurat më të ulëta.
Kukësi, ndonëse është propaganduar se ka përfituar një aeroport ka të ardhurat për frymë më të ulëta. Paga mesatare është më e ulët se sa inflacioni. E gjitha kjo kur EUROSTAT raporton se 31% e PBB shkon për shpenzime bazike të shportës së ushqimeve. Shenjë e qartë që fuqia blerëse e familjeve shqiptare shkon për bukën e gojës, teksa inflacioni ka prekur veçanërisht shportën e ushqimeve.
Kush është zgjidhja e një qeverie që takson padrejtësisht shumicën?! Propaganda! Takso 95% të shqiptarëve, varfëro ¾ e tyre, godit shtresën e mesme dhe shpenzo buxhetin tek kontratat me PPP që fitohen nga një pakicë e përkëdhelur padrejtësisht!