Teksa sot java ka nisur me diell kjo mund të ndryshojë në ditët nëvijim me kushte të paqëndrueshme të motit.
Siç njofton Shërbimi meteorlogjik ushtarak për ditën e Hënë dhe ditën e Martë moti parashikohet me kthjellime si dhe alternime vranësirash të cilat do të shoqërohen me reshje shiu të izoluara dhe të dobta kryesisht në relievet e larta malore.
Për ditën e Mërkurë dhe atë të Enjte moti parashikohet kryesisht i vranët edhe nuk do të mungojnë orët me diell.
Sipas parashikimit të SHMU nga orët e pasdites të ditës së Mërkurë deri në orët e mëngjesit të ditës së Enjte përgjatë ultësirës perëndimore priten reshje shiu me intensitet mesatar dhe të lartë. Lokalisht këto reshje do të jenë të rrëmbyeshme në formën e stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Në pjesët e tjera të vendit reshjet do të jenë me intensitet të ulët dhe mesatar.
Java mbyllet me ditën e Premte ndërsa moti parashikohet fillimisht me alternime kthjellimesh e vranësirash. Më pas mot i vranët e reshje shiu të herëpashershme. Reshjet në zonën e veriut dhe qendër do të jenë me intensitet hera-herës deri të lartë në formën e shtrëngatave apo rrebesheve.
Vlen për tu theksuar gjithashtu se pritet luhatje e ndjeshme e temperaturave herë në vlerat minimale dhe herë në ato të mesditës (si pasojë e ndryshimit drastik të masave ajrore por edhe elementit të erës). Duke iu referuar elementit të erës ajo pritet përsëri intensive dhe relativisht problematike nga dita e Mërkurë deri ditën e Premte pasdite. Për këto ditë era pritet të fryjë nga kuadrati i jugut dhe shpejtësi mesatare 3-12 m/s ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe lugina era fiton shpejtësi deri në 18-23 m/s duke bërë që dallgëzimi në dete të jetë i lartë.