JiL.al - Jeto i Lumtur

 “Pasaportat e arta”, ambasadorja e Francës ngre alarmin: Djalli fshihet në detaje, qeveria të bëjë më shumë transparencë për nismën

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar raportin për ‘Pasaportat e arta”. Lidhur me këtë, Ambasadorja franceze në Shqipëria, Elisabeth Barsacq, ditën e djeshme gjatë prezantimit të raportit për ‘Pasaportat e Arta’ nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit i bëri thirrje qeverisë duke thënë se djalli fshihet në detaje dhe së duhet transparencë për hir të shoqërisë civile.“Djalli fshihet në detaje, ka disa çështje teknike që janë të vështira për t’u cekur, por do i kalojmë të gjitha këto hollësi. Duhet të kemi transparencë për shoqërinë civile. Në shtetin tim kjo gjendje është ndryshe. Kam bashkëpunime me sektorin publik, kemi një bashkëpunim të fortë. Agjencia shtetërore përgjegjëse është përgjegjëse. Mënyra sesi operojnë është transparente. Do doja të falënderoja organizuesen, komunitetin shqiptar të KSHH-së që kanë një këndvështrim të qartë për këto dy tema. E para është e pezulluar, ku dua të them se shqiptarët kanë të drejtë të dinë arsyen”, u shpreh ajo. Kujtojmë se, para një jave Parlamenti Europian miratoi projekt-rezolutën e prezantuar nga reporterja Isabel Santos për Shqipërinë, që i bënte thirrje vendit tonë të ruajë fokusin e tij në axhendën e reformave të BE-së. Raporti shpreh gjithashtu, shqetësimin e tij për “pasaportat e arta”, aspektet e projektligjit për amnisti fiskale dhe shtetësinë, e propozuar nga skema e investimeve që janë të papajtueshme me normat e BE-së.

Vos: Shtetësia e BE-së është shumë e ndjeshme në lidhje me shtetin

Ndërkohë,  në të njëjtën linjë, por me terma edhe më të ashpër, ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri tha, se kjo çështje paraqet ndjeshmëri të lartë dhe kërkon kujdes maksimal.“Kini parasysh se shtetësia e BE-së është shumë e ndjeshme në lidhje me shtetin. Pasaporta është një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur shtetësinë e BE-së, ajo nuk është në shitje”, tha Reinout Vos, Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri. Ndërkohë, drejtoresha ekzekutive Erinda Skendaj tha se deri tani mungon transparenca në lidhje me planin për dhënien e pasaportave shqiptare për shtetasit e huaj që investojnë një shumë të caktuar parash në vendin tonë. “Ende nuk ka një VKM për kriteret e  procedurat. Nuk ka  asnjë dokument zyrtar që të hedhë dritë mbi nevojën e miratimit të kësaj VKM dhe në ç’drejtim është parashikuar dhënia me koncension apo partneritet publik privat i këtij shërbimi. Në Shqipëri mungojnë të dhënat zyrtare sa shtetas kanë përfituar  nga shtetësia e investitorit (përjashtim viti 2018, rasti i indianëve. Mungesa e kësaj transparence shkon përkundrejt tërheqjes së vëmendjes që BE ka bërë për shtetet anëtare”, tha Erida Skëndaj, Drejtoreshë Ekzekutive, KSHH.  Për herë të parë, nisma e Pasaportave të Arta u përmend nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vitin 2019. Ambasadorja e BE në Tiranë ka deklaruar se ekspertë të unionit por edhe nga Moneyval, kanë mbërritur në Shqipëri për të ofruar këshilla mbi hartimin e ligjit. Pala shqiptare vazhdimisht është shprehur se po punon me institucionet ndërkombëtare për të adresuar kritikat mbi paketën.

Scroll to Top