6 persona në Prishtinë janë arrestuar këtë të mërkurë pasi u zbulkua veprimtaria e tyre e jashtëligjshme e falsifikimit të parave.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), dhe Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka realizuar një operacion gjatë të cilit është identifikuar një grup i cili merrej me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.
Prokuroria Speciale njofton se në këtë operacion janë arrestuar në flagrancë gjashtë (6) persona të dyshuar, për veprat penale ‘’Falsifikimi i parasë (prodhimi dhe vënia në qarkullim) nga neni 296 i Kodit nr.08/L-074 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi që të njëjtit kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike dy (2) €uro të falsifikuara. Ndërkaq, tre (3) nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut, dhe tre (3) të tjerë shtetas të Kosovës.
Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 €uro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar katër (4) vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë (7) telefona celularë.
Personat e arrestuar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, si dhe brena afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.