Pretendohet se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për shkak të largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (BE) “ka tentuar të pengojë që ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace të bëhet sekretari i ardhshëm i NATO-s”.
Sipas një artikulli në të përditshmen britanike “Daily Telegraph”, zyrtarët francezë kanë njoftuar kolegët e tyre në NATO se “duan që sekretari i ardhshëm i organizatës të jetë një emër nga BE-ja”.
Një burim që ka folur për gazetën ka deklaruar se “Ai (Ben Wallace) nuk është nga një vend anëtar i BE-së. Shumë vende kryesisht Franca insistojnë që sekretari i ardhshëm të jetë nga një vend i BE-së”.
Kjo lëvizje është komentuar si një pjesë e përpjekjes së Francës për ta bërë të pavarur BE-në në aspektin ushtarak dhe më pak të varur nga Washingtoni për sigurinë e saj.
Norvegjezi Jens Stoltenberg i cili kryen detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që nga viti 2014 e deri më tani, pritet të dorëzojë detyrën e tij në shtator, por pretendohet se presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka kërkuar nga Stoltenberg zgjatjen e detyrës së tij.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Wallace përmendet në mesin e pasuesve potencial të Stoltenbergut.
Wallace në një deklaratë më parë ka thënë se “(Detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s) Gjithmonë kam thënë se kjo do të jetë një punë e mirë. Kjo është një punë që e dua. Por, e dua edhe punën që bëj aktualisht”.