Emisioni Fiks Fare solli një investigim të bërë në qytetin e Elbasanit mbi taksitë me targa të bardha të cilat operojnë në kundërshtim me ligjin.
Si fillim gazetarët e Fiksit takuan një taksixhi i cili punonte në mënyrë të ligjëruar. Ai tregoi se i kanë shumë problem taksitë me targa të bardha për të cilat janë ankuar kudo, por nuk është marrë asnjë masë.
Madje nuk guxojnë më të ankohen se shteti merret me këta që janë të ligjëruar dhe jo me shkelësit.
“Unë paguaj të gjitha taksat, jam i rregullt, ndërkohë punën time e merr dikush që nuk i paguan asgjë shtetit madje e mbron policia” tha taksixhiu për gazetarët.
Gazetarët e Fiksit faktuan me zë dhe figurë se taksitë e palicensuara mund t’i merrje lehtësisht në pika të ndryshme të qytetit dhe nuk kishin asnjë frikë nga policia.
Dhe jo vetëm aq, shoferi i një prej taksive me të cilët bisedoi gazetarja e Fiksit ishte polic, ai pranoi se si taksi punonte në të zezë jashtë orarit të punës në shtet.
Në bisedat që solli emisioni investigativ me taksistët e palicensuar kuptohej se këta të fundit dikur kishin pasur licensë, por për shkak të taksave kanë hequr dorë nga ligjshmëria. Ata shfaqen të pashqetësuar në punën e tyre madje e kanë ‘grurë’ me policët e qarkullimit rrugorë të cilët nuk i ngacmojnë në paligjshmërinë e tyre.
Kështu gazetarja e Fiksit ju drejtua Bashkisë Elbasan për një përgjigje. Përgjegjësi i kësaj drejtorie Eduard Bordi në një telefonatë me gazetaren pranoi se kanë bërë aksione dhe nuk kanë kapur taksi të palicensuara, madje për këtë sipas tij duhet të përgjigjet policia. Kjo e fundit në një përgjigje zyrtare për Fiksin pranoi se e ka në fokusin e punës së saj evidentimin e taksive të palicensuara, ndaj kanë bërë kontrolle të herëpashershme, por nuk kanë mundur të kapin në shkelje të ligjit asnjëherë kolegë të tyre ashtu siç bënë gazetarët.
Madje policia falenderon Fiks Fare për evidentimin e rasteve.