Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, njoftoi se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim rastin e kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, nën akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”. Zoti Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit nën dyshimet për shitblerje të votave. Megjithatë, ai mundi të dilte fitues, me një diferencë shumë të ngushtë votash.
Prokuroria shpjegoi se ka analizuar një sërë provash dhe të dhënash të përftuara nga përgjimet audio/video, nga kqyrjet e telefonave, nga kqyrjet e akteve të ekspertimit kompjuterik, si dhe nga deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale dhe se “rezulton e provuar tej çdo dyshimi” se ai ka ofruar para në këmbim të votave për kandidaturën e tij. Prokuroria e Posaçme, shpjegon se “Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023, ndërsa vetë shtetasit Arsen Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro”.
Zoti Beleri, sipas Prokurorisë, i ka dhënë paratë, përmes Pandeli Kokaveshit, “i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv dhe ky i fundit i ka dhënë shtetasit Arsen Rama tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të Belerit”.