Autoritetet në kryeqytetin rus, Moskë dhe zonën përreth kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme kundër terrorizmit në sfondin e kryengritjes së armatosur të liderit mercenar rus, Yevgeny Prigozhin.
“Për të parandaluar sulmet e mundshme terroriste në qytet dhe rajonin e Moskës, është krijuar një regjim i operacioneve kundër terrorizmit”, njoftoi Komiteti Kombëtar i Antiterrorizmit i Rusisë sot në mëngjes.
Në Moskë janë forcuar masat e sigurisë. Rajoni Voronezh në Rusinë jugperëndimore, i cili kufizohet me Ukrainën, shpalli gjithashtu gjendjen e jashtëzakonshme.
Gjendja e jashtëzakonshme kundër terrorizmit u lejon autoriteteve ruse të rrisin kontrollet dhe të kryejnë lehtësisht arrestimin e qytetarëve.
Thirrjet telefonike gjithashtu mund të përgjohen më shpesh. Megjithatë, fillimisht ishte e paqartë se çfarë masash konkrete do të merreshin në Moskë dhe Voronezh.
Sot në mëngjes, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin njoftoi se do të ndërmerreshin masa anti-terroriste.