Goditja e Selami Brahimit në Shkodër, duket se lidhet më tepër me rrethin e tij shoqëror se sa me të kaluarën e tij kriminale në qytetin e Shkodrës.
Përmes burimeve të policisë kriminale në Shkodër, “Ora News” ka mësuar se Selami Brahimi, është njeriu më i afërt dhe i besuar i Sokol Licit, njërit prej vëllezërve Lici në Shkodër.
Goditja e tij me armë me qëllim vrasjen, besohet se është kryer pikërisht për shkak të afrimitetit dhe shoqërisë që ka ai me Sokol Licin.
Grupet rivale në Shkodër, e kanë treguar qartazi edhe përmes komunikimeve “Sky” se në pjesën më të madhe, thurin plane për të vrarë “ushtarët”, duke e pasur më të lehtë për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve të tyre.
Me sa duket e njëjta situatë ka ndodhur edhe mbrëmjen e së enjtes, ku anëtarë të një grupi kriminal i kanë zënë pritë njërit prej shokëve më të ngushtë të Sokol Licit në Shkodër, Selami Brahimit.
Ky i fundit është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, sapo ka zbritur mbesën e tij nga makina dhe e ka lënë atë në ambientet e një p icerie në hyrje të qytetit.
Në atë moment në drejtim të automjetit të ndaluar ku ndodhej Brahimi, është qëlluar disa herë. Një nga plumbat i ka prekur faqen, duke sjellë plagosjen e tij, fatmirësisht pa pasoja për jetën.
Selami Brahimi në polici ka treguar dinamikën e lëvizjeve dhe momentin kur është qëlluar, por nuk ka parë se kush e ka qëlluar.
Selami Brahimi: Kam shpëtuar për mrekulli. Në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë. Nuk kam arritur që të shoh asgjë. Nuk kam asnjë problem me askënd dhe nuk e di kush mund të jenë autorët. Nuk kam arritur të shoh asnjë makinë apo mjet të autorëve. Nuk kam pasur kërcënime apo problem ndaj nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar.
Ngjarja e rëndë riktheu edhe një herë në kujtesë periudhën e përplasjes së përgjakshme mes bandave kriminale në këtë qytete, luftë kjo që ka prodhuar dhjetëra viktima mes tyre.