JiL.al - Jeto i Lumtur

Serbia nxjerr dhëmbët, kërcënon me ndërhyrje të armatosur

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Serbia lëshoi një kërcënim për të ndërhyrë ushtarakisht në Republikën e Kosovës, siç tha, “nëse paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO nuk arrijnë të mbrojnë serbët e pakicës nga ajo që Beogradi e quajti kërcënim terrorist i autoriteteve etnike shqiptare të Kosovës.”

Në një fjalim të shkurtër televiziv, shefi i shtabit të ushtrisë serbe, gjenerali Milan Mojsilovic, tha se serbët e Kosovës nuk mund ta “tolerojnë më terrorin” e qeverisë së Kosovës dhe se ushtria serbe është e gatshme të përmbushë detyrat e saj “në përputhje” me kushtetutën serbe dhe çdo urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiç.

Serbia ka vendosur trupat e saj në kufirin me Kosovën në gjendjen më të lartë të gatishmërisë mes një serie përleshjesh të kohëve të fundit midis serbëve të Kosovës nga njëra anë dhe policisë së Kosovës dhe paqeruajtësve të udhëhequr nga NATO, të njohur si KFOR, nga ana tjetër.

Javët e fundit, NATO ka dërguar përforcime mes frikës së një përplasjeje të hapur midis shqiptarëve etnikë dhe serbëve.

Ndërhyrja e armatosur e Serbisë në Kosovë do të nënkuptonte një përplasje të drejtpërdrejtë me rreth 4,000 trupa të NATO-s të gjendura aktualisht atje.

Në fjalimin e tij të drejtuar kombit të premten, shefi i shtabit të ushtrisë serbe tha se serbët e Kosovës nuk mund ta “tolerojnë më terrorin e regjimit” të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti(!)

“Sipas fakteve, e informova komandantin e KFOR-it se kërkojmë masa urgjente për të mbrojtur popullin serb”, tha Mojsilovic. “Kjo është kërkesa jonë për KFOR-in dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.”

Tensionet u ndezën sërish muajin e kaluar pasi policia e Kosovës mbrojti institucionet e saj. Ndërsa serbët minoritarë iu bashkuan verbërisht bojkotit, zgjedhjet vendore u fituan nga kandidatë shqiptarë që më pas u futën në ndërtesat e komunave lokale në Kosovën veriore, ku serbët përfaqësojnë shumicën.

Por, ndërsa kryebashkiakë shqiptarë që u zgjodhën në zgjedhjet lokale që serbët i bojkotuan me shumicë dërrmuese, u futën në zyra, serbët e nxitur nga Beogradi nisën rebelim të armatosur ndaj shqiptarëve.

BE dhe SHBA u treguan kritike ndaj qeverisë së Kosovës duke mos pranuar që shqiptarët e zgjedhur të futen në zyrat e tyre, madje arritën deri aty sa të kërkojnë të punojnë nga zyra të sajuara diku tjetër(!)

Qeveria e Kosovës bëri përpjekje të ruajë rendin dhe ndaloi tetë serbë rebelë të cilët dyshohen se morën pjesë në përleshjet e dhunshme të muajit të kaluar me trupat e NATO-s dhe policinë e Kosovës. Përleshjet lanë dhjetëra të plagosur, kryesisht shqiptarë.

Në takimet e tyre në Bruksel të enjten, udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës nuk bënë asnjë përparim në bisedimet emergjente të organizuara nga BE që është frikësuar për një rikthim në konflikt të hapur.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell i përshkroi tensionet në rritje në veri të Kosovës si alarmante.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u zotua të enjten se paqeruajtësit e aleancës “do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të paanshme” dhe të rrisin praninë e saj për të siguruar mjedis dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Si Serbia ashtu edhe Kosova po kërkojnë anëtarësimin në BE dhe duhet të normalizojnë marrëdhëniet e tyre për ta bërë këtë.

Ekziston aktualisht një frikë se aleati i Serbisë, Rusia, mund të ndezë një tjetër konflikt të armatosur në Evropën Qendrore për të devijuar të paktën një pjesë të fokusit ndërkombëtar nga agresioni i Moskës në Ukrainë. /noa.al

Scroll to Top