Shiu i Marrë nga DRITERO AGOLLI
Dikur na bridhte qiejve një shi,
Që veç poetët çmendte po t’i lagte.
Dhe ra ky shi pa pritur mbi njerëzi,
Poetët u lajthitën pas një nate.
Filluan të kopjonin veç një varg,
Të kishin të përbashkët veç një metaforë,
Për shembull: “Jam Homeri, jam bust në park,
Jam Sofokli, Eskil e Pitagorë.
Jam rrugë vetëtimash e rrufè,
Jam dhe kostelacion në qiell,
Jam rrap me rrënjët pleksur nëpër dhè,
Jam udhëtar që kam në sup një diell…”
Po nga ky shi s’u lag veç një poet,
Se ishte fshehur në një pyll të dendur,
Poetët e lajthitur në qytet
E qeshnin dhe i thoshin: “Je i çmendur!”
Dhe u mërzit poeti në vetmi,
Se talleshin të çmendurit, poetët,
Dhe luste zotin që të binte prapë ky shi,
Që dhe ai të çmendej si të tjerët.
Dritero Agolli
Jeto I Lumtur.al