Një ditë pas shpërthimit që shkatërroi një godinë në qendër të Parisit, autoritetet po vazhdojnë kërkimet për një person të zhdukur. Të paktën 30 persona mbetën të plagosur, 4 prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Zjarrfikësit kanë vazhduar të zhvendosin objekte dhe të gërmojnë nën rrënoja, teksa hetuesit po përpiqen të përcaktojnë shkaqet e shpërthimit. Deri tani, rrjedhja e gazit konsiderohet një nga pistat kryesore të hetimeve.
Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi panik dhe kaos në zonën e populluar nga qytetarët, në Lagjen Latine të kryeqytetit francez. Si pasojë e impaktit, xhamat e dritareve të godinave pranë dhe vitrinat e dyqaneve përreth u thyen.
Kryeqyteti francez ka përjetuar tragjedi të tilla disa herë në vitet e fundit. Në janar të 2019-s, një shpërthim gazi në distriktin e parë vrau 4 persona dhe la dhjetëra të lënduar.
Këtë herë, shpërthimi ndodhi në një godinë ku ishin zyrat e një studioje dizajni dhe zyrat qendrore të Sistemit Arsimor Katolik, në rrugën Saint Jacques.
Vendi i ngjarjes u vizitua në orët e mbrëmjes së të mërkurës nga kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo dhe ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, i cili u kthye para kohe nga një vizitë në qytetin Nancy, në lindje të Francës, ku do të takohej me një sindikatë të policisë.
Ai u shprehu mirënjohjen e tij ekipeve të shpëtimit dhe policisë, si dhe zjarrfikësve që po kërkonin nën gërmadha për të mbijetuar.