Në reagim e PD-së Sali Berishës, thuhet se kjo “ video e Gjicit është simptoma e kësaj mënyre të ushtruarit të tij. Abuzimi me postin, të konsideruarit e detyrës si mundësi për të kënaqur funksionarin dhe jo shërbyer qytetarin, për të ushtruar presion, merr formën më të plotë gjatë fushatës elektorale dhe zgjedhjeve”.
Sakaq në reagimin e plotë theksohet se në Kukës duhet të mbahen zgjedhje të reja pas këtij skandali, pasi qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin kryetarin e tyre që i përfaqëson denjësisht.
Deklarata e plotë:
Video e publikuar sot, që përmban një regjistrim të pahijshëm të kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, ka sjellë në vëmendje të opinionit disa fakte që lidhen me pushtetin dhe abuzimin me të. Së pari, është përdorimi i zyrës së kryebashkiakut si dhomë gjumi apo shtëpie publike, çka shënon mungesën e respektit për institucionet dhe për votuesit.
Së dyti, është shenjë se pushteti i fituar pa të drejtë, me para dhe abuzime elektorale, çon në sjellje të tilla të padenja për një funksionar publik dhe prind.
Së treti, video e Gjicit është shenja se pushteti i Edi Ramës nuk ushtrohet ndryshe veçse duke shkelur ligjin dhe kodet e etikës, duke përdhosur zyrat e shtetit. Pushtetit të tij nuk i mjaftojnë shtëpitë, hotelet, makinat. Ky pushtet, pasi merr me forcën e abuzimit elektoral zyrat e shtetit, i kthen ato në “distrikt të dritave të kuqe”.