KFOR-i tha se dënon ashpër sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
Në një përgjigje për Gazetën Express, KFOR tregoi edhe pse nuk ka reaguar kur gazetarët u sulmuan.
“Pas incidenteve të 29 majit, kur një numër i madh i paqeruajtësve të KFOR-it u plagosën në sulme të paprovokuara, trupat e KFOR-it janë vendosur rreth ndërtesave të komunave veriore për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejshme. KFOR-i mbetet reaguesi i tretë dhe Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”.
KFOR thotë se liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore të cilat duhet të respektohen nga të gjithë.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna ose veprimet e mëtejshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të sigurojnë që mediat të mund të kryejnë punën e tyre themelore në mënyrë të sigurt”.
Kjo deklaratë e KFOR vjen pas sulmeve të djeshme të gazetarëve në Leposaviq. Në disa pamje që u publikuan nga atje shihej që ushtarët prezentë të KFOR-it nuk reaguan derisa gazetarët iknin nga sulmet.
KFOR-i thotë se vazhdon të kryejë mandatin e tij në mënyrë të paanshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 dhe se “mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si e vetmja rrugë përpara”.
Gjithashtu, në përgjigje thuhet se komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së dhe komunitetit diplomatik.