Nga Gjykata e Beratit, ku u paraqit këtë të mërkurë për akuzat për shpifje të ngritura nga Pëllumb Salillari dhe Kreshnik Hajdari, ish-kandidati i opozitës për bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi, ka kërkuar arrestimin e Kreshnik Hajdarit, shkarkimin e tij nga posti i kryebashkiakut dhe zgjedhjet e reja.about:blank
Deklarata e Maliqit erdhi pasi SPAK njoftoi se kishte depozituar në GJKKO kërkesën e kalimit për gjykim të dosjes në ngarkim të Kreshnik Hajdarit, lidhur me fshehjen e një dnimi në Greqi në formularin e vetdeklarimit.
Gjithashtu Maliqi tha se Hajdari nuk akuzohet vetëm për falsifikim vulash e vetëdeklarim të rremë, por ndaj tij kanë nisur hetimet edhe për 5 kallëzime të tjera, që kanë të bëjnë me tenderë korruptivë dhe abuzime me miliona euro nga taksat e qytetarëve, në bashkëpunim me firmën e Pëllumb Salillarit.
Maliqi gjithashtu i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që të shkarkojë menjëherë nga detyra kryebashkiakun e Kuçovës dhe të njoftojë për zgjedhjet e reja në këtë bashki.
Duke deklaruar se ai do të paraqitet në çdo seancë në Gjykatën e Beratit ku pala që e ka akuzuar për shpifje nuk ka shkuar asnjëherë, Maliqi ka deklaruar se në SPAK, Pëllumb Salillari dhe Kreshnik Hajdari kanë 5 kallëzime penale të bëra nga Maliqi, banorët e fshatit Lumas dhe deputetja Albana Vokshi.
Mësohet se sot Lefter Maliqi i ka kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë Berat që të pyeten si dëshmitarë edhe 300 banorë të rrethit të Kuçovës, që kanë firmosur kallëzimet ndaj Kreshnik Hajdarit dhe Pëllumb Salillarit.