JiL.al - Jeto i Lumtur

Tensionet në Veri të Kosovës/ Reagon sërish Rusia, ja lëvizjet që duhet të bëjnë SHBA dhe BE

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

 Një tjetër reagim ka ardhur nga Moska lidhur me situatën e krijuar në Veri të Kosovës.

“Tensioni në Kosovë vazhdon të rritet dhe trazirat e djeshme në veri të krahinës autonome serbe erdhën nga një pikë kritike, edhe pse është një situatë që mund të ishte zgjidhur plotësisht me kompromis,”-kështu u shpreh sot zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Sipas saj, KFOR-i jo vetëm që tregoi joprofesionalizëm, por edhe u bë burim i dhunës së panevojshme dhe faktor që çoi në përshkallëzimin e situatën.

“Në fund, ata që kanë për obligim mbrojtjen e popullatës vendase serbe nga arbitrariteti i kosovarëve, por kësaj here u vunë në anën e Prishtinës ksenofobike dhe në fakt u bënë bashkëpunëtorë të terrorit në formën e truprojave për mashtruesit shqiptarë të Kosovës. Si rezultat, dhjetëra njerëz u shtruan në spital, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë,“- tha Zakharova.

Ajo theksoi se respektimi selektiv i Rezolutës 1244 të OKB-së çoi në keqinterpretimin e NATO-s për rolin e KFOR-it në Kosovë, dhe për këtë arsye gjendja nuk është neutrale sot, siç duhet të jetë. Në kushte të tilla, siç u shpreh ajo më tej, “nuk mund të bëhet fjalë për besim”, Perëndimi duhet të kishte menduar shumë më herët përpara se të “shpërndante ‘kryetarët’ shqiptarë në katër komuna që nuk përfaqësojnë asgjë”, megjithatë shton se ka ende kohë për të ndryshuar situatën nëse perëndimorët janë “me të vërtetë të interesuar për paqen dhe stabilitetin”.

Sipas Rusisë, situata zgjidhet, mjafton që SHBA-ja dhe BE-ja të kërcënojnë me sanksione kryeministrin Albin Kurti. 

Si paraqitet situata në veri të Kosovës? 

Qytetarët serbë kanë dalë sot sërish në protestë në veri të Kosovës për të ndaluar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në selitë e komunave në veri Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Protesta ka nisur pa incidente, ndërsa KFOR dhe Policia e Kosovës kanë ngritur barrikada sigurie rreth ndërtesave shtetërore për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Ndërkohë, kryekomunarët kanë njoftuar se për shkak të situatës, ata sot nuk do të paraqiten në zyrat e punës. KFOR ka bërë thirrje për uljen e tensioneve nga dy palët e konfliktit Kosovë-Serbi, ndërsa ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për ushtarët e plagosur. Ngjarja është në zhvillim.

Scroll to Top