Të paktën 50 njerëz duke përfshirë dhe tetë fëmijë janë vrarë në incidente të lidhura me motin e ashpër në Pakistan të shkaktuar nga stuhitë e shirave që kanë përfshirë vendin dy javët e fundit, thonë autoritetet.
“Pesëdhjetë vdekje janë raportuar në incidente të lidhura me shirat në të gjithë Pakistanin që prej nisjes së sezonit të stuhive më 25 qershor”, tha sot një zyrtar i drejtorisë së katastrofave, duke shtuar se mbi 80 njerëz ishin plagosur.
Shumica e vdekjeve ishin në provincën lindore të Punjab, kryesisht nga kontakti aksidental me rrymën elektrike dhe rrëzimet në ndërtesa, tregonin të dhënat.
Agjencia Associated Press citonte autoritetet vendase të thonin se vdekjet kishin arritur në 55.
Në tragjedinë e provincës verilindore Khyber Pakhtunkhwa, trupat e tetë fëmijëve me moshë nga 12 deri në 15 vjeç– u nxorrën nga një rrëshkitje dheu në Shangla të enjten, sipas zëdhënësit të shërbimeve të emergjencës Bilal Ahmed Faizi.
Ai tha se punonjësit po kërkonin për të tjerë fëmijë të bllokuar në rrënoja.
Rreth 15 prej tyre po luanin në nje fushe të improvizuar kriketi kur një pjesë shkembore u shemb pas shirave, duke i zënë postë të miturit, thanë zyrtarët.
Grupet e shpëtimit dhe ushtria kishin nxjerrë tetë trupa pas disa orë përpjekjesh, një fëmijë të plagosur rëndë, ndërsa të tjerët shpetuan të palënduar. Lahore, qyteti i dytë më i madh i Pakistanit kishte reshje rekord shiu të mërkurën që i ktheu rrugët në lumenj dhe la pa energji elektrike 35 përqind të rezidentëve.
Shirat e rëndë janë rikthyer në Pakistan, një vit pas përmbytjeve të rënda që fundosën rreth një të tretën e vendit duke vrarë më shumë se 1,700 njerëz.
Sezon i shirave të verës sjell në Azi rreth 70 përqind të prurjeve vjetore dhe është thelbësor për bujqësinë.