Trafik droge nga Shqipëria në Itali, 8 persona në pranga

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte të 3 dhjetorit, karabinierët italianë vunë në zbatim urdhrat e lëshuara nga Gjykata e Barit duke arrestuar 8 anëtarë të një bande shqiptaro-italiane të trafikut të drogës.

Autoritetet thanë se grupi kishte ngritur një rrjet të trafikut të kokainës dhe kanabisit nga Shqipëria në Itali për të vijuar më pas në disa shtete europiane si Spanjë, Belgjikë dhe Gjermani.

Organizata dyshohet se përbëhej nga 15 persona, nga të cilët 6 janë arrestuar më herët ndërsa 8 këtë të martë. 4 prej personave të vënë në pranga janë shqiptarë ndërsa 4 italianë të moshave nga 34 në 49 vjeç.

Aktiviteti i tyre kishte kulmuar në periudhën mars – gusht 2023 kur edhe grupi kishte trafikuar sasi të mëdha kokaine dhe marihuanë nga Shqipëria në Spanjë dhe në disa vende të Evropës Veriore.

Lënda narkotike transportohej fillimisht në Pulia, rajoni ku ishte vendosur baza kryesore logjistike e organizatës. Një pjesë e drogës ishte e destinuar për tregjet e Napolit. Sipas autoriteteve kjo orgfanizatë fitonte mbi 1 milion euro në muaj.

Mediat italiane thonë se një nga qendrat operacionale të organizatës është zbuluar në Shqipëri, por autoritetet tona nuk kanë dhënë ende detaje.

Falë përgjimeve, hetuesit arritën të rindërtonin të gjithë strukturën e grupit kriminal, duke përcaktuar rolet e secilit anëtar. Ndër protagonistët dallohen trafikantët shqiptarë të drogës, veçanërisht aktivë në menaxhimin e rrugëve mes Shqipërisë dhe Pulias.

Grupi kishte baza edhe në Barletta, Mola di Bari dhe Modugno. Disa persona ishin përgjegjës për mbajtjen e lëndës narkotike në magazina, përpara se ajo të shpërndahej në të gjithë territorin e Pulias.

Grupi ishte lidhur me blerës të qëndrueshëm. Të ardhurat nga shitja e drogës transferoheshin në Shqipëri. Në operacionin e fundit u sekuestrua mbi 15 kg kokainë, 2 kg marijuanë, armë dhe municione, përfshirë 3 pistoleta dhe municione të kalibrave të ndryshëm. Një të dyshuari i janë sekuestruar 15 mijë euro që mendohet se janë të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.

Scroll to Top