
ITALI- Një shqiptar i shumëkërkuar për trafik ndërkombëtar emigrantësh është arrestuar nga policia italiane në qytetin e Astit. Sipas mediave italiane shqiptari ishte shënjestër e një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga Gjykata e Drejtësisë në Tiranë. Siç raportohet shqiptari lëvizte prej kohësh nën identitet të dyshimtë, duke kërkuar leje qëndrimi në Itali.
Mediat italiane shkruajnë se arrestimi i shqiptarit u bë si rezultat i një kontrolli rutinë nga Njësia e Imigracionit pranë Komisariatit të Policisë në Asti. Fillimisht u mendua se ishte thjesht një qytetar i huaj në pritje të dokumenteve, por më pas hetimet zbuluan të shkuarën e tij kriminale.
Sipas autoriteteve, ai është pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal që merret me trafikimin e emigrantëve nga Shqipëria drejt vendeve të ndryshme të Evropës, si dhe me lidhje të dyshuara në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara. Gjykata e Apelit e Torinos ka konfirmuar arrestimin dhe ka dhënë miratimin për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në Asti, në pritje të përfundimit të procedurave ligjore për kthimin.