Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Studiuesit në Shkollën e Mjekësisë së Universitetit të Uashingtonit, kanë identifikuar rajonet e trurit të përfshira në vendimin nëse duam të zbulojnë nëse do të ndodhë një ngjarje e keqe.
Gjetjet e botuara në revistën “Neuron”, përshkruajnë termin e “varësisë së lundrimit” si aktin e leximit pa fund të lajmeve të këqija në mediat sociale, si dhe leximin e çdo lajmi shqetësues që shfaqet, një zakon që për fat të keq duket se është bërë i zakonshëm gjatë pandemisë së Covid-19.
Në këtë mani, mund të luajë një rol biologjia e trurit tonë. Studiuesit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit në Sent Luis, kanë identifikuar zona dhe qeliza specifike në tru që aktivizohen, kur një individ përballet me zgjedhjen për ta marrë vesh ose një informacion në lidhje me një ngjarje të padëshiruar, të cilën individi nuk ka gjasa që të ketë fuqinë ta parandalojë.
Për të gjetur qarqet nervore që reagojnë kur dikush ka ndjesinë e një situate të frikshme, autorët kryesorë të studimit Ahmad Jezini dhe Ilia Monosov, u mësuan dy majmunëve se si të dallonin kur diçka e pakëndshme mund u dilte përpara.
Ata i stërvitën majmunët për të njohur simbolet që tregonin se një duhmë e fortë ajri mund t`u përplasej në fytyrë, por me shkallë të ndryshme fuqie. Disa sekonda pasi u shfaq simboli i parë, atyre iu shfaq një simbol i dytë që zgjidhi pasigurinë e kafshëve.
Majmunëve u la të kuptohej se duhma e ajrit do të vinte me siguri, ose që kjo nuk do të ndodhte. Studiuesit vëzhguan nëse kafshët donin të dinin se çfarë do të ndodhte,nëse do të prisnin sinjalin e dytë apo do të ulnin sytë.
Në disa eksperimente të veçanta, ata i lanë majmunët të zgjidhnin midis simboleve të ndryshme dhe rezultateve të tyre. Ngjashëm me njerëzit, të dy majmunët kishin qëndrime të ndryshme ndaj lajmeve të këqija:Njëri donte të dinte; tjetri preferoi të mos dinte asgjë. Dallimi në qëndrimet e tyre ndaj lajmeve të këqija ishte befasues, pasi ata kishin të njëjtin mendim kur bëhej fjalë për lajmet e mira. Kur iu dha mundësia për zbuluar nëse do të merrnin diçka që u pëlqente – një lëng – të dy ata zgjodhën vazhdimisht ta zbulonin.
“Ne zbuluam se qëndrimet ndaj kërkimit të informacionit në lidhje me ngjarjet negative mund të shkojnë nga të dyja anët, Madje edhe midis kafshëve që kanë të njëjtin qëndrim rreth ngjarjeve pozitive shpërblyese”- thote Jezini, që jep leksione mbi neuroshkencën.
“Për ne, kjo ishte një shenjë se të dyja qëndrimet mund të udhëhiqen nga procese të ndryshme nervore”-shton ai. Duke matur saktësisht aktivitetin nervor në tru kur majmunët përballeshin me këto zgjedhje, studiuesit identifikuan një zonë të trurit, korteksin cingulator të përparmë, që kodifikon veçmas informacionin për qëndrimet ndaj mundësive të mira dhe të këqija.
Ata zbuluan një zonë të dytë të trurit, korteksin paraballor ventrolateral, që përmban qeliza individuale, veprimtaria e të cilave pasqyron qëndrimet e përgjithshme të majmunëve:për informacione mbi mundësitë e mira ose të këqija.
Kuptimi i qarqeve nervore që qëndrojnë pas pasigurisë, është një hap drejt terapive më të mira për njerëzit me gjendje të tilla si ankthi dhe çrregullimi obsesiv-kompulsiv, të cilat në thelb kanë paaftësinë për ta toleruar pasigurinë.
“Ne e filluam këtë studim, pasi donim të dinim se si truri e kodifikon dëshirën tonë për të ditur se çfarë na ka rezervuar e ardhmja”- thotë Monosov. “Ne po jetojmë në një botë ku truri ynë nuk ka evoluar. Disponueshmëria e vazhdueshme e informacionit, është një sfidë e re me të cilën ne duhet të përballemi më të. Unë mendoj se të kuptuarit e mekanizmave të kërkimit të informacionit është mjaft i rëndësishëm për shoqërinë dhe për shëndetin mendor në raport me shkallën e popullsisë”- përfundoi ai.