Emisioni “Në Shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala trajton atentatin ndaj Fatjon Dervishit, i njohur si Toni Dervishi, i cili u ekzekutua në Sukth më 26 shtator të këtij viti.about:blank
Toni Dervishi ka qenë nën hetim nga autoritetet holandeze për trafikim të lëndëve narkotike.
Është mesnatë, ku mbi shinat e trenit, një automjet Audi A7, ngjyrë e zezë, po përpiqet të çajë sa të mundet errësirën, në një rrugë e cila jo vetëm është e amortizuar, por edhe e pandriçuar që nuk të jep shumë mundësi të shikosh më gjatë përpara.
Në këtë orë, në këtë zonë të Sallmones, në lokalitet i vogël pranë Shijakut, lëvizjet janë thuajse të rralla, Toni Dervishi, në drejtimin e automjetit dhe miku i tij Ergis Shahini sapo po kthehen nga një darkë e konsumuar në Tiranë, në një nga restorantet e kryeqytetit. Deri në këtë moment, asgjë nuk duket se do ua prishë shijen e një mbrëmje të kaluar këndshëm në shoqërinë edhe të miqve të tjerë. Ndërsa sapo kanë kaluar shinat e trenit dhe mjeti me të cilin udhëtojnë ka ulur shpejtësinë për shkak se rruga në këtë zonë të fshatit është jo e mirë, udhëtimit të tyre duket se këtu i ka ardhur fundi.
Edhe pse janë akoma larg, pikës së tyre të mbërritjes, i pari që del i lemeritur nga makina është drejtuesi i makinës, Toni Dervishi, i cili ka marrë disa plumba në trup. pikërisht nga krahu i shoferit, aty nga ku u shkreh një breshëri e gjatë automatiku. I dyti pas tij, që rend ti vijë në ndihmë mikut të plagosur dukshëm rëndë, është pasagjeri në vendin e parë të makinës, Ergis Shahini, që me gjithë thirrjet e tij për ndihmë, askush nga automjetet e pakta që lëvizin në këtë orë në këtë aks rrugor, nuk pranon të ndalojë.
Por fati i Toni Dervishit duket se ishte i parashkruar në ato plumba, që më pas do të rezultonin fatal për të. Ai humbi jetën vetëm pak momente pasi një autoambulancë e shoqëroi në spitalin më të afërt rajonal, ndërsa zbardhja e ditës, solli edhe reagimin e parë paraprak të Policisë së Durrësit, mbi ngjarjen.
Një atentat që në fakt, në pamje të parë, për vetë mënyrën e egër dhe tinëzare, por edhe pritën se si u organizua dhe u qëllua makina e drejtuar nga viktima, të linte pak mëdyshje, se vrasja kishte motive shumë më të forta, se sa një krim ordiner për shkaqe shpesh banale që ndodhin në Shqipëri.