Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka komentuar tensionet në veri të Kosovës. Në në postim në Facebook, ministri Lleshaj u shpreh se ushtruesit e dhunës nuk po kërkojnë të drejtat e një minoriteti etnik, por s’pranojnë që t’i binden një qeverie që drejtohet nga shqiptarë.
Sandër Lleshaj u shpreh se “lojaliteti i vetëm i tyre lidhet me Serbinë, ndërkohë që lojaliteti i vërtetë i Serbisë lidhet vetëm me Rusinë”.
Reagimi i plotë:
GJENI NJË NUMËR TELEFONI TË ALBIN KURTIT
Ata që po ushtrojnë dhunë në veri të Kosovës nuk po kërkojnë të drejtat e natyrshme të një minoriteti etnik. Ata, zotëruesit e dikurshëm, as që mund të pajtohen me idenë se janë minoritet sot. Ata nuk pranojnë, as në parim, që t’i binden një qeverie që drejtohet nga shqiptarë. Lojaliteti i vetëm i tyre lidhet me Serbinë, ndërkohë që lojaliteti i vërtetë i Serbisë lidhet vetëm me Rusinë. Iluzionet se autorët e masakrave në Ballkan mund të konvertohen nga koha në partnerë paqësorë janë dëshpëruese. Historia ka provuar se agresorët mund të ndryshojnë vetëm pasi ata të mposhten qartësisht.
Perëndimit iu deshën pothuajse tri dekada që të kuptojë në Ukrainë kotësinë e iluzioneve rreth Rusisë. Mbetet vetëm të shpresohet që bashkë me Rusinë, Perëndimi të kuptojë, më në fund, edhe Serbinë, pa qenë nevoja e një konflikti të ri ushtarak në Ballkan. Serbia nuk mund të transformohet përmes lëshimeve, por vetëm përmes imponimit.
Qeveria e Kosovës duhet të kuptojë se, që të ushtrosh sovranitet, duhet të kesh jo vetëm të drejtë por edhe fuqi. Çdo hap sovran në terren duhet të jetë i bazuar në llogaritjet e sakta të fuqisë, duke kuptuar me këtë elementët e politikës, të diplomacisë, të ekonomisë, të ushtrisë, etj.. Pa garancinë e fuqisë, veprimet në terren nuk vlejnë, për të mos thënë që edhe mund të dëmtojnë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, në fund të herës, vendos fuqia. Sado e hidhur dhe e padrejtë të tingëllojë, fatkeqësisht kjo është një e aksiomë e vjetër e historisë.
Ndërsa për ata që janë sulur publikisht kundër Albin Kurtit, mendoj se do të ishte më i dobishëm njëfarë moderimi. Edhe vërejtjet më drejta ndaj qëndrimeve të tij, aktualisht, shndërrohen në të dëmshme, kur ato bëhen në rrugë publike. Të gjithë ata që sot kanë diçka të arsyeshme për t’i thënë atij, mund ta bëjnë këtë gjë në një rrugë tjetër, pa bërtitur në media. Dhe, në të vërtetë, ka një mijë gjëra që i duhen thënë Albin Kurtit sot. Por në rrugën e duhur.
Nxitimi meskin për të larë llogari personale apo partiake me Kurtin, në një moment kur cenohen interesa madhore kombëtare, në rastin më të mirë, është dobësi. Presioni publik që po i bëjnë të tjerët mjafton dhe tepron, ndërkohë që presioni që i bëhet atij publikisht nga shqiptarë turpëron.