Avokati Çedomir Stojkoviç është ndaluar ditën e sotme në Serbi, pasi vizitoi varrezat e familjes Jashari në Prekaz.
Lajmin e bëri të ditur vetë Stojkoviç, i cili tha se u mbajt për katër orë nga anëtarët e Agjencisë së Sigurisë Informative të Serbis dhe më pas u lirua për lëvizje të lirë.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në platformën ‘X’, Stojkoviç shprehet se lirimi i tij nuk është rezultat i vullnetit të autoriteteve.
“Unë u lirova sepse autoritetet ishin në dijeni se nëse do të më arrestonin edhe mua, presioni nga publiku botëror do të ishte shumë i madh”, shkroi ai.
Më tej ai shprehet se tani presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, duhet të shpjegojë pse është ai përjashtim në krahasim me Nikolla Sanduloviçin, i cili u rrah brutalisht nga shërbimi sekret serb pasi u publikuan pamjet nga vizita e tij te të rënët në Prekaz.