Autori i vrasjes së 52-vjeçarit këtë të diel në fshatin Vig në Burrel është Islam Meta.
Në vitin 2013, viktima, Petrit Kuka i plagosi vajzën. Kuka ishte i dashuruar me vajzën e Islam Metës dhe kërkoi të fejohej me të, por familja e vajzës nuk e pranoi dhe e fejuan me dikë tjetër.
Për t’u hakmarrë Petrit Kuka e plagosi vajzën kur ajo u fejua dhe prej asaj ngjajrjeje marrëdhëniet kanë qenë konfliktuale mes dy familjeve.
Policia vendore informon se ‘më datë 21.01.2024, në fshatin Vig, në Burrel , shtetasi I. M., rreth 63 vjeç, ka vrarë me armë gjahu shtetasin P. K, rreth 52 vjeç.
Autori i dyshuar i kësaj ngjarje, pasi ka kryer krimin ka telefonuar Policinë dhe ka treguar mbi rrethanat e ngjarjes dhe më pas ka kërkuar të vetëdorëzohet.
Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se ngjarja ka ndodhur për arsye se, viktima shtetasi P.K., në vitin 2013, për motive të dobëta ka plagosur vajzën e shtetasit I.M.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po bëjnë shoqërimin e shtetasit I.M , në komisariat.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarje’.