
Gjykata e Apelit të Tiranës ka reaguar sot pas vrasjes në sallën e gjyqit të gjyqtarit të saj Astrit Kalaja.
Në një reagim, Gjykata e Apelit e cilëson këtë ngjarje të rëndë si një goditje jo vetëm për komunitetin e drejtësisë, por për të gjithë shoqërinë tonë.
“Kjo ngjarje tragjike imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore, duke garantuar mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, palëve dhe çdo qytetari që hyn në sallat e drejtësisë.
]Siguria është parakusht i pandashëm për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të detyrës gjyqësore. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për rritjen e nivelit të sigurisë dhe për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Apelit.
Reagimi i plotë
Sot gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjykimit.
Kjo ngjarje e rëndë është një goditje jo vetëm për komunitetin e drejtësisë, por për të gjithë shoqërinë tonë.
Në emër të kolegëve gjyqtarë dhe të gjithë trupës gjyqësore, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e kolegut të ndjerë dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë. Zemrat tona janë me ta në këtë moment të dhimbshëm dhe solidariteti ynë është i plotë.
Kjo ngjarje tragjike imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore, duke garantuar mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, palëve dhe çdo qytetari që hyn në sallat e drejtësisë. Siguria është parakusht i pandashëm për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të detyrës gjyqësore. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për rritjen e nivelit të sigurisë dhe për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Po aq e rëndësishme është ndalimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit dhe kërcënimit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë. Asnjë shprehje armiqësie, asnjë fjalë që nxit dhunë apo paragjykim ndaj personave që përmbushin detyrën e tyre nuk duhet të tolerohet. Gjuha e urrejtjes nuk është shprehje lirie, por një mjet që ushqen intolerancën dhe dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia. Është detyrë e çdo institucioni, politikani, media e çdo përfaqësuesi publik dhe qytetari të ruajë gjuhën e respektit dhe të dialogut.
Njëkohësisht, bëjmë apel për reflektim shoqëror, për unitet dhe për respekt ndaj drejtësisë si themel i rendit demokratik.
Në këtë moment të errët, ne gjyqtarët mbetemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për të zbatuar ligjin me integritet dhe kurajë. Drejtësia nuk do të trembet. Ne do të vazhdojmë të shërbejmë me dinjitet, paanshmëri dhe besim të plotë se e vërteta dhe ligji janë mburoja më e fortë ndaj çdo akti dhune apo urrejtjeje.
Bashkë në dhimbje, por edhe më të bashkuar se kurrë në përkushtimin tonë për drejtësi.