Vrasja e Pjerin Xhuvanit, dënohet me 22 vite burg ish-shoqëruesi i 

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Gjykata e Elbasanit dha dje vendimin për çështjen e vrasjes së ish-militantit të Partisë Socialiste dhe ish-mjekut, Pjerin Xhuvani, ngjarje e ndodhur në 21 prill 2021 në Elbasan në ditët e fundit të fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të atij viti. Ish-efektivi i RENEA-s, në atë kohë pjesëtar i Strukturës së Mbrojtjes së Votës të Partisë Demokratike, Arbër Paplekaj u shpall fajtor për vrasjen e Xhuvanit, duke u dënuar me 22 vite burg, me akuzën e kryerjes së veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim. Trupa gjykuese vendosi me 3 vite më pak dënim për Paplekajn nga ç’kërkoi Prokuroria e Elbasanit në pretencën e saj javën e kaluar. Nga ana tjetër, dy ish-zv/drejtorët e Policisë së Elbasanit në atë kohë, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, së bashku me 6 efektivët e njësisë “Shqiponja” u dënuan vetëm me shërbim prove për veprën penale “shpërdorim i detyrës”, duke shmangur burgosjen. Konkretisht dy ish-zyrtarët e policisë u dënuan secili me nga 1 vit shërbim prove, kurse punonjësit e Policisë së Elbasanit Dedjon Duraku, Pëllumb Biçaku, Erjon Balla, Besmir Kadiu, Donald Dedja dhe Erjon Meçja u dënuan secili me nga 1 vit e 4 muaj shërbim prove. Megjithatë, çështja “Xhuvani” nuk mbyllet këtu. Avokati i Paplekajt premtoi se ky vendim do apelohet në Gjykatën e Apelit të Elbasanit. Një nga ngjarjet më të rënda në historinë e pluralizmit në Shqipëri sërish shpëtoi politikën nga ndëshkimi. Ish-sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi dhe Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar socialist, në pritje për t’u betuar si Ministri i ri i Brendshëm nuk u thirrën kur në gjyq për të dëshmuar, edhe pse të dy ishin drejtues politik të partive përkatëse në Elbasan. Kujtojmë që Arbër Paplekaj ishte në atë periudhë dhe shoqërues i Bardhit, sot kryetar i grupit parlamentar të PD. Përveç aspektit politik, vrasja e mjekut Xhuvani nuk u arrit të zbulohej se kush tjetër përveç Paplekajt qëlloi me armë zjarri.
Avokati i Arbër Paplekajt: Gjykata nuk e zbuloi të plotë të vërtetën
Avokati i ish-pjesëtarit të SMV PD në Elbasan, Arbër Paplekaj, Mirash Martini deklaroi për mediat se vendimi i Gjykatës së Elbasanit është i paplotë dhe jo tërësisht i drejtë. Ai pranoi se Paplekaj është ekzekutori i Xhuvanit, por këmbënguli se ish-anëtari i RENEA-s ka vepruar i kushtëzuar dhe nën trysninë e grupit të personave që erdhën në mbështetje të Mehmet Grecës, ish-patronazhist i PS.  Për më tepër, Martini akuzoi Prokurorinë dhe Gjykatën e Elbasanit, se i kanë refuzuar vazhdimisht kërkesat për rindërtim e riekspertim të vendit të krimit, pozicionit të qitësve, ndaj në këtë mënyrë, vendimi i gjykatës nuk e ka zbardhur plotësisht të vërtetën e asaj pasdite të zymtë të 21 prillit 2021. “Që nga fillimi i ngjarjes nga policia dhe organet e Prokurorisë ka pasur përpjekje për të fshehur episode, dhe në mënyrë të veçantë dhe akte të mëvonshme që e kane deformuar këtë ngjarje. Me gjithë konsideratën që kam shprehur për gjykatën, për respektimin formal të procedurave, ata kanë rrëzuar disa kërkesa tonat në mënyrë të vazhdueshme që lidhen me sqarimin e së vërtetës dhe rregullimin e disa deformimeve që kanë të bëjnë me rindërtimin e vendit të ngjarjes dhe me zhvillimin e një eksperimenti hetimor, që do të përcaktonte vendndodhjen e qitësve dhe rrethana të tjera. Ky vendim që sapo thashë, është rrjedhojë e këtyre rezultateve. Pra e një gjysme të vërtete. T’ju shpjegoj gjysmë të vërtetën. E siç e dini një gjysmë e vërtetë mund të shndërrohet në një gënjeshtër të madhe”, deklaroi fillimisht avokati Mirash Martini.

Çështja e pazbardhur, avokati Martini: Do shkojmë në Gjykatën e Apelit
Në fund, ai bëri me dije se me të marrë vendimin e plotë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ai dhe klienti i tij do ta dërgojnë çështjen për rishqyrtim në shkallën e Apelit. “Shpresojmë që Apeli do të ketë vullnetin për të mësuar të vërtetën dhe kurajën. Natyrisht do ta ankimojmë në momentin që do të njihemi me arsyetimin”, përfundoi avokati Martini.


Ngjarja, nuk janë gjetur 2 nga 3 armët dhe kush qëlloi tjetër përveç Paplekajt
Mehmet Greca u ndalua nga ish-kreu i SMV PD mesditën e 21 prillit 2021 në Elbasan, Arjan Hoxha (kandidoi për “BF” në Kamzë në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023), pasi pati pretendime se ai po blinte vota në favor të PS duke mbajtur në makinë para, karta identiteti dhe lista të zgjedhësve. Një grup i përbërë nga Pjerin Xhuvani, Gentjan Sharra, Klement Xhaferri, Eltjon Bodinaku u konfliktuan me Hoxhën, Paplekajn, Erjon Demushin, Pavlo Vuksanin, dhe Emiljano Prengën, anëtarë të SMV PD. Gjithashtu u thirrën dhe dy ish-n/drejtorët e Policisë së Elbasanit, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi për të zgjidhur situatën. Bashkë me ta erdhën dhe forca policie. Momenti që agravoi ngjarjen ishte kur Demushi, ish-komando, filmoi ngjarjen. Bodinaku, dhëndri i Pjerin Xhuvanit goditi me grusht Demushin dhe më pas filluan të shtënat. Sipas prokurorisë, Arbër Paplekaj akuzohet për vrasjen e ish-mjekut Xhuvani dhe plagosjet e Eltjon Bodinakut, efektives së policisë Xhensila Sotës dhe kolegut të tij Prenga. Megjithatë, ende nuk është zbardhur se kush qëlloi nga ana e mbështetësve të PS dhe cili plagosi Pavlo Vuksanin. Hetimet provuan se janë përdorur 3 pistoleta në 21 prill 2021, por deri tani është provuar vetëm që Paplekaj ka shtirë.
Akuzat ndaj 8 policëve për “shpërdorim detyre”, kishin dijeni dhe nuk vepruan
Me fillimin e të shtënave, Palla, Nushi dhe 6 efektivë të Patrullës së Përgjithshëm u larguan dhe u fshehën për t’i shpëtuar plumbave. Megjithatë, sipas Prokurorisë së Elbasanit Nushi dhe Palla duhej të shoqëronin Mehmet Grecën, pasi në këtë mënyrë mund të ishte shmangur gjakderdhja. Më pas, edhe pse u vërtetua se ata kishin deklaruar ndryshe për sa ndodhi, 2 zyrtarët e policisë dhe 6 efektivët e “Shqiponja” iu rrëzua akuza për “kallëzim të rremë” duke mbetur vetëm “shpërdorimi i detyrës”. Po ashtu, 6 efektivët e “Shqiponjës” kishin dijeni që Paplekaj ishte i armatosur, por nuk bënë asgjë për ta neutralizuar.
Shteti manipuloi ngjarjen, Veliu dhe prokurori Shehu u “shpërblyen” nga PS
Por, strukturat ligjzbatuese dolën gafil duke gënjyer lidhur me pretendimet se Greca po blinte vota për PS. Një ditë pas ngjarjes, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, sot kreu i AMP, Ardi Veliu së bashku me prokurorin e kohës në Elbasan, Alfred Shehu, nuk pranuan 1 ditë pas krimit se në makinën e patronazhistit Mehmet Greca kishte materiale zgjedhore, karta identiteti, listë votuesish dhe para. Por, çuditërisht “argumentet” e tyre ranë shpejt. Në sallën e gjyqit për ngjarjen e rëndë, Shehu pranoi se në makinën e Klement Xhaferrit, që ishte prezent në vendin e ngjarjes, ishin gjetur karta identiteti, lista dhe formularë patronazhistësh dhe një sasi eurosh. Më vonë, ai kaloi vetingun dhe u emërua kryeprokuror në Sarandë. Karriera e tij dhe Veliut morën një rrugë të mbarë, edhe pse duhej të ishin në bankën e të akuzuarve për deformim të hetimeve dhe fshehje të provave.

Scroll to Top