SPAK ka lexuar pretencën për Xhuljano Hoxhën dhe Euglen Halilin, të akuzuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, ngjarje të ndodhura verën e vitit 2020 në Elbasan.
SPAK kërkoi dënimin me 30 vite burg për Xhuljano Hoxhën.
Për Euglen Halilin SPAK, kërkoi dënimin me 12 vite burg, ndërsa ka pasur statusin e bashkëpunëtorit të Drejtësisë.
Halilaj zbardhi vrasjen e Regis Runajt dhe pranoi se ka mbajtur në vëzhgim Ramazanin.
Sipas SPAK vrasjet janë porositur nga Erjon Alibej, çështja ndaj të cilit u veçua pasi dyshohet si i përfshirë në ngjarje të tjera.
Për vrasjen e Runajt, Euglen Halilaj dhe Xhuljano Hoxha, akuzohen nga SPAK si ekzekutor të 26 vjeçarit. Ndërsa për vrasjen e Emiljano Ramazanit akuzohen si bashkëpunetor dhe grup kriminal.
Në seancë ishte i pranishëm edhe babai i Regis Runajt, njërit prej viktimave, i cili kërkoi drejtësi.
“Ne jemi fukarenj, jemi njerëz të këputur, dua drejtësi për vrasjen e djalit. Gruaja ime është e sëmurë, shpesh e mbyll në dhome, se kam frikë mos i ndodh dicka. Djalin ma vranë me 27 thika, u them këtyre cunave që mua vetëm një thikë më duhet, që të shkoj tek im bir.
Dua që këta dy cunat të marrin atë që meritojne asnjë ditë më shumë. Çdo ditë rri në shkallë dhe pres djalin, por ai nuk vjen, më kuptoni dhe mua, ju i perqafoni fëmijët tuaj. Une pres që djali të më kërkojë lekë për cigare.”