‘bunkeri i ferrit’
Një bunker i braktisur, i përdorur për eksperimente monstruoze të kryera mbi mijëra gra dhe fëmijë nga një grup shkencëtarësh sadistë, është zbuluar pas 78 vjetësh.
“Bunkeri i tmerrit” i Luftës së Dytë Botërore u zbulua pranë qytetit Anda në verilindje të Kinës dhe mendohet të jetë vendi më i madh i testimit të Njësisë famëkeqe japoneze ‘731’, e cila kreu eksperimente rrëqethëse njerëzore gjatë viteve 1940.
Arkeologët gjetën tunelin që fsheh histori të frikshme në provincën Heilongjiang, ku kishte qenë fshehur për gati tetë dekada.
I ndërtuar nga japonezët në vitin 1941, bunkeri sekret nëntokësor u përdor për të kryer teste dhe eksperimente të tmerrshme mbi robërit kinezë, koreanë, rusë dhe amerikanë.
Deri në 12,000 burra, gra dhe fëmijë u torturuan brutalisht në këtë bunker dhe u vranë përfundimisht nga aktet e kobshme të Njësisë 731.
Eksperimentet rrëqethëse konsistonin në ekspozimin e njerëzve ndaj dehidrimit, duke i vrarë ata brenda centrifugave rrotulluese ose duke i injektuar me gjak të kafshëve të sëmura dhe duke i zbërthyer me rreze X.
Njësia 731 gjithashtu kryente operacione mbi viktimat pa përdorur anestesi dhe i bllokonte në dhomat e presionit derisa t’u shpërthenin bebëzat e syrit.
Bunkerët u përdorën gjithashtu për testimin e granatave, bombave bakteriale, flakëhedhësve dhe armëve kimike.
Pleshtat e infektuara nga murtaja në laboratorët e Njësisë 731 u shpërndanë gjithashtu nëpër qytetet kineze nëpërmjet avionëve, duke shkaktuar shpërthime sëmundjesh vdekjeprurëse që zhdukën qindra mijëra civilë.
Studiuesit e njësisë kishin zhvilluar mënyra për të armatosur murtajën bubonike, antraksin, kolerën dhe ethet tifoide.
Sakaki Hayao, ish-komandanti i degës Lin Kou të Njësisë 731 zbuloi në dëshminë e tij në gjykatën speciale ushtarake të Shenyang në 1956, se kishte parë njerëz të lidhur në shtylla druri dhe të ekspozuar ndaj antraksit përmes bombave të mbushura me baktere.
Por arkeologët tani kanë zbuluar pjesërisht strukturën e ndërtesës në formë U, e cila ka një gjatësi gjigante 108 metra dhe gjerësi 67 metra. Në foto, shihet se struktura ka dhoma ndërlidhëse dhe tunele sekrete që rrjedhin prej saj.
Studiuesit nuk janë futur ende brenda saj por besojnë se dhomat do të përbëhen nga laboratorë, dhoma vëzhgimi dhe diseksioni, qelitë mbajtëse, kazerma, garazhe, banja, zona ngrënieje dhe puse.