Një gjykatë në Prishtinë i caktoi të martën masën e paraburgimit prej 30 ditësh një pjesëtari të komunitetit serb i arrestuar ditë më parë nën dyshimin për përfshirje në sulmin që dëmtoi kanalin furnizues me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.
Gjykata tha se i arrestuari Jovan Viçentijeviç dyshohet se ka kryer veprat penale “rrezikim i rendit kushtetues”, “kryerje e veprës terroriste” dhe “armëmbjatje pa leje”.
Sipas gjykatës masa e paraburgimit është e domosdoshme meqë i arrestuari që ka edhe shtetësi të Serbisë, mund të arratiset dhe nëse lihet i lirë, ekziston mundësia që “të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale, mund të ndikojë në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprat e njëjta penale ose mund të kryej sërish vepra tjera penale”.
Nebojsha Vlajiç, avokat i të arrestuarit tha se nuk ka asnjë provë të besueshme për shqiptimin e një mase të tillë.
“Ai mbahet përgjegjës për sulmin ndaj rendit kushtetues duke shkatërruar objekte infrastrukturore në lidhje me terrorizmin dhe për veprën penale të mbajtjes së paautorizuar të armëve dhe municionit. Ai shpjegoi lëvizjet e tij gjatë asaj kohe kritike që nuk kishin të bënin me vendin ku ndodhi shpërthimi dhe besoj se gjykata do ta marrë parasysh këtë”, tha ai.
Avokati Vlajiç tha se armët dhe municionet e gjetura në shtëpinë e klientit të tij, nuk kanë të bëjnë me shpërthimin e së premtes.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha se deri më tash janë ndaluar 11 persona të dyshuar prej të cilëve dy veta mbeten në paraburgim, nën dyshimet për përfshirje në kryerjen e veprës terroriste dhe armëmbajtje pa leje.
Sulmi në kanalin furnizues me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës nxiti reagime të shumta vendase e ndërkombëtare.
Kosova akuzoi Serbinë për sulmin të cilin e cilësoi si terrorist, një cilësim që u përdor edhe nga Bashkimi Evropian. Autoritetet në Kosovë dyshojnë se prapa sulmit mund të jenë pjesëtarë të organizatës “Mbrojtja Civile”, e cila vitin e kaluar së bashku grupin “Brigada e Veriut” u shpallën si organizata terroriste nga qeveria e Kosovës. Zyrtarët në Kosovë thonë se këto organizata mbështeten dhe financohen nga Beogradi zyrtar.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç mohoi sërish të martën përfshirjen e shtetit të tij në sulmin e së premtes. Ai tha se Serbia është një vend serioz dhe i përgjegjshëm dhe nuk u ngut të akuzojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për kryerjen e sulmit.
“Ne thamë se jemi të gatshëm për bashkëpunim të plotë në kryerjen e hetimeve me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe institucionet e Prishtinës, por pa rrezikuar sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Serbisë. Ne jemi gati ta bëjmë këtë. Nëse sulmi është kryer nga dikush i kombësisë serbe dhe ai ndodhet në territorin nën kontrollin e Republikës së Serbisë, ai menjëherë do të arrestohet. Deri më tani, nuk kemi informacione të tilla”, tha ai.
Sulmi u dënua nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian, që bënë thirrje për hetim të kujdesshëm dhe të thellë si dhe shprehën përkushtimin për të mbështetur Kosovën për ndriçimin e rastit dhe vënien e autorëve para drejtësisë.
Sulmi vetëm sa ka shtuar tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me gjithë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Udhëheqësit e të dyja vendeve po qëndrojnë në Bruksel bashkë me udhëheqësit e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor për t’u takuar me shefen e re të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Kaja Kallas dhe me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
Bashkimi Evropian ka një udhëheqje të re, por ende nuk është e qartë nëse do të ndryshojë qasjen apo të vazhdojë me rrugën e vjetër të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.