
SARANDË- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me aksidentin rrugor të regjistruar ditën e djeshme në aksin Fterrë-Borsh të Sarandës, ku humbi jetën polici, Eduart Maçi. Një automjet doli nga rruga ku si pasojë u plagosën edhe dy të tjerë.
Policia bën me dije se drejtues i automjetit ishte vetë Eduart Maçi, që është dhe viktima e aksidentit. Fatmirësisht 2 të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë referuan materialet në Prokurori, pasi nga veprimet hetimore të kryera për aksidentin e ndodhur një ditë më parë, në aksin rrugor “Fterrë-Borsh”, rezultoi se drejtuesi i automjetit tip “Toyota”, që doli nga rruga, ka qenë shtetasi E. M., 58 vjeç, banues në Sarandë, i cili humbi jetën në vendngjarje. 2 pasagjerët, shtetasit R. Xh., 59 vjeç, banues në Sarandë dhe V. Th., 76 vjeç, banues në Lukovë, janë jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme,” thuhet në njoftimin e policisë.