Një ngjarje kriminale prishi “qetësinë” e qytetit të Shkodrës ditën e sotme, pasi 57 vjeçari Ismet Çekorja u ekzekutua me 7 plumba në lagjen “Kiras”.
Ismet Çekorja është babai i Bajram Çekores, i cili është shpallur në kërkim pas mbrëmjes së 25 gushtit pasi akuzohet si pjesëmarrës në atentatin që iu bë Alban Bruçit, i cili arriti të shpëtojë mrekullisht.
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Një ditë pas ngjarjes 57-vjeçari Çekorja do të dilte dhe të fliste për mediat duke mbrojtur djalin e tij.
Ai tha se djali i tij nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen pasi ka kamera sigurie që tregojnë se Bajrami në momentin që i është bërë atentat Alban Bruçit, ndodhej në një tjetër ambient.
“Rasti i fundit është me Alban Bruçin, djalin e Lad Bruçit të cilin unë e kam shumë mik dhe nuk ka asnjë shans që djali im të qëllojë djalin e tij kur ne kemi shumë miqësi aq më tepër që Bajrami, djali im është i monitoruar me kamera.
Këto sulme ndaj familjes tonë i bëjnë disa bandit, hajdutë biçikletash dhe banditë të veshur me pushtet. Se cila është arsyeja ne nuk e dimë. Ajo që kërkojmë është drejtësia.
Djali im është i pafajshëm dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë prej ngjarjeve kriminale për të cilat është i dyshuar.
Janë të gjithë inskenime dhe tani ai duhet të qëndrojë rrugash dhe nuk mundet as të punojë as asgjë. Kërkojmë drejtësi dhe të zbardhen ngjarjet”, tha 57-vjeçari Ismet Çekorja, i cili është edhe viktima i atentatit të sotëm.
Lidhur me ngjarjen e 25 gushtit Çekorja nuk kurseu as akuzat ndaj policisë duke thënë se që prej tri vitesh policia e Shkodrës i është vënë nga pas djalit dhe familjes së tij pasi për çdo ngjarje kriminale banesa e tyre rrethohet nga policia.
“Policia ka ardhur në banesën tonë pas vrasjes së Arjan Ferracakut, kur që viktima ishte nipi im po ashtu kur u vra edhe Fatos Ferracaku prapë më kanë thirrur mua dhe djalin.
Pastaj janë vrarë vëllezërit Bilali dhe sërish policia në banesën time njëkohë që kemi kaq shumë vite që jemi fqinj. U plagos Admir Bajri, prapë në banesën time njëkohë që familja jonë e ka pasur një lloj njohje me familjen e tyre.
Po ashtu u qëllua shefi i policisë bashkiake të Malësisë së Madhe sërish në banesën time kur në fakt autorët dolën krejt persona të tjerë”, këto kanë qenë fjalët e viktimës për mediat 4 ditë më parë.
Alban Bruçi u qëllua me 19 plumba më 25 gusht në Shkodër, por arriti që të shpëtojë pa u plagosur.
25 vjeçari shkoi vetë në polici dhe bëri një kallëzim për këtë atentat për të cilin policia ka shpallur në kërkim Bajram Çekorja dhe Tornato Fusha, djali i biznesmenit dhe ish-presidentit të Vllaznisë Valter Fushës.
BURIMI https:https://lajmifundit.al/category/aktualitet