Dritëro Agolli- KUR TË JESH MËRZITUR SHUMË
Këtu s’do jem , do jem larguar
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamerierët.
Dhe nëpër udhët ku kam ecur
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë.
Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe kur në xham të fryjë erë
Do qash me erën dalëngadalë.
Po kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë,
Atje do jem i fshehur unë
Në ndonjë fjalë e ndonjë shkronjë.
Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.
Dritero Agolli
Jeto I Lumtur