Betim Muço – KEQKUPTIM
E gjithë jeta është
Një keqkuptim i madh
Lind pa dashur të lindësh
Në një vend që s’do
Në një kohë që s’do
Kur ata që të ngjizën
As që mendonin për ty.
Kur rritesh
Të mësojnë atë që s’do të mësosh
Të japin të hash
Ato që s’të hahen
E të bëjnë të thuash
Ato që s’të thuhen.
Botën e gjen të kënaqur
Si një derr grazhdi
Dhe çdo përpjekje për ndryshim
Shkakton hungërima kundërshtuese.
E kërkon lirinë
Si shiun në shkretëtirë
Dhe kur e njeh atë
Sheh se është më profesionistja prostitutë
Kurdoherë ta jep atë që do
Atëhere kur s’të duhet
Dhe ta mohon kur ke epsh
Po asnjë grosh në xhep.
Përpiqesh të bësh ujdi me botën
Teksa përjetësisht
Lufton me veten tënde
Për qëllimin pse ke ardhur
Te kjo botë
Kështu siç je.
Në fund
Vdes pa dashur të vdesësh
Në një kohë kur s’do doje të vdisje
Nga një vdekje që s’do doje
Të ishte ashtu
Duke përcjellë keqkuptimin
Si stafetë të zymtë monotone
Te të tjerët që lindën pas teje.
Betim Muço
Jeto I Lumtur.al