Nuk ka dalë ende në shitje, por makina e parë elektrike turke, Togg, ka marrë rreth 200 mijë kërkesa.
Ndërkohë, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë në Turqi, Mustafa Varank tha se makina e parë do të jetë për Presidentin Erdogan, i cili kreu porosinë së bashku me bashkëshorten e tij, Emine. “Po ashtu, ne morëm porosi edhe nga Presidenti i Azerbajxhanit, Aliyev. Shpresojmë që makina e dytë të jetë për të”, tha Varank.
Kompania do të dorëzojë 20.000 modele T10X këtë vit, ndërkohë që shpërndarja e tyre do të bëhet përmes një shorti që do të hidhet në mënyrë transparente.
Çmimi i modelit T10X varion nga rreth 50.200 dollarë në 55.600 dollarë, ndërsa modeli me bateri më të fuqishme kushton 64.000 dollarë. Bateritë Togg T10X mund të karikohen nga 20 për qind në 80 për qind në më pak se 28 minuta në stacionet e karikimit të shpejtë.