JiL.al - Jeto i Lumtur

Silva Kola-Loka: FRIKA DHE MIQTË

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Silva Kola-Loka: FRIKA DHE MIQTË

Për ata që, kur je përpara një sprove, të thonë: “Mos ki frikë! Gjithçka do të shkojë shumë mirë! Frika është vetëm në kokën tënde! Nuk ka asgjë për të patur frikë! Ti do ia dalësh mbanë! Jam i sigurt!”

I dashur miku im trim dhe dashamir!

E kuptoj se gjithçka sa thua, e thua për të më dhënë kurajo! Faleminderit!
Më lejo ta kapërcej ndrojtjen dhe me guxim të të them ca gjëra:

1. Frika në kokën time është e vërtetë! Kur them se kam frikë dua të dish se në të kaluarën time kanë ndodhur situata kur unë kam dështuar (në 1000 mënyra dhe për 1000 arsye) dhe truri im, duke prodhuar frikë, po përpiqet të më ruajë të mos futem sërish në situata të ngjashme. As unë nuk dua të kem frikë, por natyra është më e fuqishme se unë!

2. Po, ka gjëra nga të cilat unë kam frikë edhe pse jam goxha grua. Unë kam frikë se të tjerët do qeshin me mua, se nuk do arrij të përgjigjem saktë dhe do humbas vendin e punës, se kur të futem në ujë nuk do do të notoj dhe do të mbytem e shumë frikëra të tjera. Për ty këto mund të jenë qesharake, por mua vetëm ideja e tyre ma mpin trurin dhe trupin.

3. Ti nuk mund ta dish se gjithçka do shkojë mirë sepse këtë nuk mund ta dijë askush. Dikush si ty më tha dikur se gjithçka do shkonte mirë dhe nuk shkoi dhe kjo është një arsye më shumë pse unë sot kam frikë.

4. Unë mund të mos ia dal mbanë. Askush nuk ia del mbanë gjithmonë, as ti vetë. E kupton se duke më thënë se do ia dal mbanë ti ma shton presionin, frikën dhe turpin?

***

I dashur mik!
Kur e shikon që unë kam frikë të provoj të jem e suksesshme, thellë-thellë unë do doja të më thoshe:

“E dashur!

E kuptoj që ke frikë dhe është mëse normale. Gjithçka që ndjen është normale dhe askush nuk ka të drejtë të gjykojë nëse është diçka e mirë apo e gabuar. Duhet të kesh arsyet e tua pse të provosh të bësh … të provokon frikë.

Nëse do të më tregosh pse ke frikë të provosh, do të të dëgjoj dhe do të të ndihmoj të gjesh arsye për të mos patur frikë. Kujtesa jote ka edhe sirtarë të tjerë përveç situatave që sot të sjellin frikë.

Sidoqoftë, dua të dish se vetëm dikush që nuk ka provuar asgjë në jetë nuk ka frikë sepse kushdo që provon i friket dështimit po aq sa e mezipret suksesin.

Unë nuk e di nëse do ia dalësh apo jo. Askush nuk mund ta dijë. E vetmja gjë që di është që e vetmja mënyrë për të mos patur frikë është të mos qendrosh në frikë. Më thuaj, si mund të të ndihmoj ta kapërcesh frikën?”

Silva Kola-Loka: FRIKA DHE MIQTË

Jeto I Lumtur.al

Scroll to Top