Në ditët e sotme po hasim përherë e më shumë të rinj, veçanërisht ata që mbarojnë shkencat kompjuterike apo degë të turizmit, që thonë, përse ta kryej Masterin, kur unë edhe me Bachelor gjej punë në treg dhe jam shumë mirë i paguar.
Në këtë treg global a duhet masteri apo jo?
“Për profesione si IT është e vërtetë që arrijnë të integrohen në treg edhe përpara se të marrin një diplomë, por të mos harrojmë se hyrja në treg është një element, por pastaj vijnë edhe elementet si rritja në karrierë, zhvillimit profesional apo edhe opsionet për një karrierë ndërkombëtare. Kështu që Masteri për mendimin tim është një vizion, është një portë e hapur që individët i hapin vetes, që në të ardhmen të kalojnë rrjedhshëm në një profesion tjetër. P. sh. Nëse dikush mbaron inxhinierinë, por gjatë rrugës zbulon që ka prirje drejt punëve sociale, me një master në Menaxhim Projekti, mundet shumë bukur të punojë në projekte sociale dhe të japë kontributin e tij në shoqëri. Pra Masteri ta lejon t’i përshtatësh ndryshimeve në tregun e punës, por nga ana tjetër, kjo kërkon që të rinjtë dhe prindërit të jenë mendjehapur, si dhe universitetet t’u japin të rinjve ato aftësi analitike dhe nuhatje sesi të operojnë në tregun e punës dhe jo më shumë njohuri teknike të cilat tashmë i gjejmë gjithandej”, shpjegon aktivistja Lutjona Lula.
“Kam shumë bashkëmoshatarë që thonë, nuk ka ç’më duhet masteri, por unë personalisht do ta kryej atë për të optimizuar mundësitë për një punë të mirë dhe të paguar”, tha një student.
“Nëse bëhet fjalë për studentët e IT-së, kanë shumë të drejtë, sepse mund t’i zhvillosh aftësitë edhe pa master, ose edhe pa pasur atë diplomën në xhep, mund ta gjesh punën shumë lehtë. Pastaj për degët e tjera, unë mendoj se duhet masteri”, u shpreh një tjetër studente.