Gratë shqiptare luftojnë të integrojnë burrat në punët e shtëpisë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email
 

Studimi “Perceptimet dhe qëndrimet publike ndaj barazisë gjinore në Shqipëri” kryer nga Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD, tregon se burrat dhe gratë shqiptare e kanë ende të vështirë të gjejnë balancën e artë të ndarjes së punëve.

Kërkimi i përgatitur nga Dr. Marsela Dauti dhe Dr. Edvin Zhllima i publikuar në fund të marsit, mori në pyetje 450 të intervistuar nga katër rajone të vendit për të mësuar më shumë rreth ndarjes së punëve të shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët, perceptimet dhe qëndrimet ndaj roleve të grave dhe burrave në familje, si dhe për çështje si punësimi dhe të ardhurat, menaxhimi i parave apo balanca karrierë-familje.

Në rreth 80 për qind të rasteve janë gratë ato që bëjnë larjen dhe hekurosjen e rrobave, pastrimin e shtëpisë, gatimin dhe larjen e enëve; ndërsa burrat kishin gjasa të angazhoheshin më shumë se gratë në punë që lidheshin me riparimet në shtëpi dhe pagimin e faturave.

Sipas studimit gratë shpenzonin mesatarisht 4.66 orë për punë shtëpie ndërsa burrat më pak se gjysma e kohës së grave, pra 2.07 orë. Me rritjen e nivelit të arsimit, pakësohej edhe numri i orëve të shpenzuara për punë shtëpie, ndërsa e kundërta ndodhte për arsimin e dobët.

“Në shtëpinë time përpiqemi t’i bëjmë në çift punët e shtëpisë, por gjithnjë unë bëj më shumë sepse bashkëshorti justifikohet me punët teknike brenda familjes”, tha për BIRN Ida, 32 vjeçe nga Tirana.

“Besoj se punët në shoqërinë shqiptare janë të ndara sipas gjinisë, sepse kështu janë edukuar meshkujt që në fëmijëri nga familjet e tyre të origjinës dhe ne vajzave na ka mësuar familja të shërbejmë. Megjithatë kujdesin ndaj fëmijës e kemi thuajse të barabartë”, shtoi ajo.

Në studimin e barazisë gjinore në Shqipëri brenda familjes thuhet se të intervistuarit me nivel më të lartë arsimor kishin më pak gjasa të raportonin për një ndarje tradicionale gjinore të punëve në familje, ashtu sikurse në zonat urbane raportohej se larja e enëve ndahej pothuaj barabar ndërmjet grave dhe burrave; gjë që nuk pasqyrohej në familjet rurale ku funksionon më së tepërmi parimi “gruaja i bën të gjitha punët e shtëpisë”.

Elidoni, 34 vjeç nga Tirana, i cili bashkëjeton me të fejuarën e tij, bie dakord me gjetjen e ndarjes së punëve të shtëpisë barabartë.

“Ndonjëherë kontribuoj në punët e familjes duke larë enët dhe duke gatuar dhe kjo më duket shumë e natyrshme sepse sipas mundësive i përkushtojmë kohë si unë dhe bashkëshortja punëve,” tha për BIRN Elidoni, i cili ka arsim të lartë.

“Unë nuk kam të tilla paragjykime, ne i bëjmë bashkarisht punët dhe e nxisim njëri-tjetrin të zhvillohen për nga karriera,” përfundoi ai.

Sipas studimit të PNUD, megjithatë, burrat shqiptarë kanë perceptime të ndryshme me gratë për sa i përket barrës së vërtetë që ndajnë në shtëpi.  “Burrat kishin më shumë gjasa se gratë të raportonin se punët e shtëpisë ndaheshin në mënyrë të barabartë ndërmjet tyre dhe grave. Nga ana tjetër gratë kishin më pak gjasa të ishin të kënaqura me ndarjen e detyrave në familje,” thotë studimi.

Të intervistuarit kishin më shumë gjasa të ishin dakord me pohimin “një bashkëshorte e mirë duhet t’i bindet burrit për të ruajtur harmoninë dhe mirëqenien në familje”;  ndërkohë që ata kishin më pak gjasa të ishin dakord ose shumë dakord me pohimin “burrat duhet të angazhohen po aq sa gratë në punët e shtëpisë”.

Ekspertët besojnë se kjo pabarazi në ndarjen e punëve të shtëpisë vjen për shkak se shoqëria shqiptare është ende patriarkale. Autorët e studimit Dauti dhe Zhllima rekomandojnë që djemtë dhe burrat të përfshihen më shumë në familje ndërsa pjesëmarrja e grave dhe vajzave në tregun e punës duhet të rritet përmes mjeteve që lehtësojnë gratë nga barra në familje.

“Ndihem e diskriminuar nga kjo barrë që bie mbi shpatullat e mia për punët e shtëpisë, pavarësisht se punoj edhe jashtë saj. Edhe kur bashkëshorti më ndihmon e ndjej se nuk e bën ngaqë mendon se punët duhen ndarë në mënyrë të barabartë, por me idenë se po më ndihmon mua, që për nga rolet gjinore më është atribuuar tashmë detyra e këtyre punëve,” përfundoi Ida.

Jeto I Lumtur.al

Scroll to Top