JiL.al - Jeto i Lumtur

I Huaji

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Fragmente të përzgjedhura

I Huaji

Sot më vdiq mamaja. Apo ndoshta dje, nuk e di. Mora një telegram nga azili: “Nëna vdiq. Varrimi nesër. Ngushellime të sinqerta”. Kjo s’do të thotë asgjë. Ndoshta ka ndodhur dje.
Azili i pleqëve ndodhet në Marengo, tetëdhjetë kilometra larg Algjerit. Do të marr autobusin e orës dy dhe do të jem aty pasdite. Kështu do të mund ta gdhij një natë e do të kthehem nesër mbrema. I kërkova dy ditë leje pronarit dhe ai nuk mund të mos m’i jepte për një arsye të tillë. Por m’u duk se nuk i pëlqeu. Madje dhe i thashë: “S’është për fajin tim.”Nuk u pergjigj. Atëherë mendova se nuk duhet t’ia kisha thënë ato fjalë. Sidoqoftë nuk kisha pse të kërkoja ndjesë. Ai bile duhej të më shprehte ngushëllimet. Do ta bëj padyshim pasnesër, kur të më shohë në zi. Tani për tani më duket sikur mamaja nuk ka vdekur. Ndërsa pas varrimit do të jetë  çështje e mbyllur dhe çdo gjë do të ketë marrë formë më zyrtare.
Në orën dy mora autobusin. Bënte shumë nxehtë. Hëngra në restorant, te اelesta, si zakonisht. Të gjithëve u vinte shumë keq për mua dhe اelesta më tha: “Vetëm një nënë kemi. “Kur u largova, më shoqëruan deri tek dera. Isha disi i hutuar, ngaqë m’u desh të ngjitesha tek Emanueli për t’i marrë hua një kravatë të zezë dhe një shirit të zi. Ai ka humbur xhaxhanë para disa muajsh.
Vrapova të kap autobusin. Gjithë ai nxitim e ai vrap, me siguri për shkak të tyre, le pastaj dhe troshitjet, era e benzinës, afshi i nxehtë që vinte nga rruga e nga qielli, më vunë në gjumë. Fjeta thuajse gjithë rrugës. Kur u zgjova, pashë se isha ngjeshur pas një ushtaraku që më buzëqeshi dhe më pyeti nëse vija nga larg. I thashë “po” për të mos e zgjatur muhabetin.

Albert Camus

Scroll to Top