Konkretizimi i ëndrrave Ndoc Gjetja

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

KONKRETIZIMI I ËNDRRAVE

Dikur ëndërroja të kem një magnetofon Stereo,
tani që e kam, e ndez një herë në muaj,
Eh, sikur të isha poet! – pëshpërisja shpesh me vete,
dhe tani gjithnjë e me rrallë shkruaj.

Dikur ëndërroja të jem burri i një gruaje të bukur
dhe prisha shtatë palë këpucë duke i shkuar pas,
por ja një ditë te faqja ku e pata puthur
ëndrra ime u bë dhe ngeli pas.

Pastaj ëndërrova të shkoj një ditë jashtë shtetit
dhe pasi shkova në Berlin, në Zyhri, në Vjenë,
sa i rëndomtë më dukej ky trualli i planetit
dhe ëndrra tash është spostuar në hënë.

Kështu çdo ëndërr që më pati vluar në zemër
u përdhos nga prekja e sendeve me duar.
Ç`mu desh që e hodha edhe këtë vjershë në letër,
Më e bukur ishte kur s’e kisha shkruar!

~ Ndoc Gjetja ~

Jeto I Lumtur.al

Scroll to Top