JiL.al - Jeto i Lumtur

Miti i meritokracisë: Si privilegji i jep formë suksesit

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Në fund të shekullit të 19-të, Herbert Spencer propozoi teorinë e tij të Darvinizmit Social, duke pretenduar se idetë e shfaqura rreth përzgjedhjes natyrore, trashëgimisë biologjike në mbretërinë e kafshëve mund të përdoren për të shpjeguar hierarkitë sociale dhe racore në popullatat njerëzore. Darvinizmi social parashtron se shoqëria njerëzore është e përfshirë në konkurrencë të vazhdueshme midis hierarkis sociale të përcaktuar nga ‘mbijetesa e më të përshtatshmit’ dhe pjesës tjetër të popullsisë. Kjo mbijetesë e më të përshtatshmit në terma mekanikë, është ajo që Darvini e ka quajtur ‘përzgjedhje natyrore’, ose ruajtja e racave të favorizuara në luftën për jetë. Për Spencer-in dhe mendimtarët e mëvonshëm të eugjenisë(shkencës së geneve) dhe ‘shkencës së racës’, ndërhyrjet sociale për të përmirësuar kujdesin shëndetësor, edukimin si dhe kushtet minimale të jetesës, nuk ishin produktive sepse sipas tyre natyra kishte bërë seliksionimin e vet. Ata e shihnin këtë fakt si justifikim të pasurisë së krijuar nga shtresa e pasur dhe varfërisë dhe mjerimit të klasave të ulëta. Në realitet është krejt e kundërta sepse shumë njerëz të varfër kanë ikur nga Shqipëria vitet e fundit, por edhe nga vendet e tjera në USA ose në Europën perëndimore dhe kanë arritur të krijojnë mirëqënie dhe prosperitet jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për shoqërinë.

Fakti që kushtet e pabarabarta, që idetë e Spencer-it në dukje justifikonin, ishin rezultat i kapitalizmit liberal, pa supervizionin e institucioneve të pavarura dhe shance jo të barabarta për të gjithë. Ky model është i ngjashëm me kapitalizmin aktual në Shqipëri, ku suksesi garantohet nga tarafi, korrupsioni dhe mungesa totale e humanizmit, në kontrast me kapitalizmin liberal në shoqërinë e sotme perëndimore që bazohet në humanizëm dhe të drejtat dhe barazinë e mundësive për individin.

Në ditët e sotme, Darvinizmi Social dhe pasardhësit e tij ideologjikë, eugjenika dhe ‘shkenca racore’, portretizohen si koncepte të hedhura në koshin e plehrave të historisë për shkak të lidhjes së tyre me nazizmin, Holokaustin dhe (mjerisht, në një masë më të vogël) mizoritë e kryera në emër të Imperializmi evropian. Jo tamam kështu sepse ai egziston në Shqipëri dhe disa vende të Ballkanit perëndimor, në dukje demokratike.

Çështja e ndërlikuar është fiksimi i rrënjosur thellë i shoqërisë sonë se suksesi ose dështimi është rezultat i vetëm përpjekjeve individuale dhe përgjegjësisë personale, edhe nqs individi përdor afera korruptive ose mafioze konsiderohet si sukses i merituar. Ky botëkuptim injoron rrjetin kompleks të faktorëve socialë, ekonomikë dhe kulturorë që formësojnë trajektoret tona, duke i bërë të padukshme barrierat dhe avantazhet sistematike që ndikojnë thellësisht mundësitë dhe rezultatet tona.

Duke përqafuar këtë mit të “individualizmit”, ne e çlirojmë veten nga përgjegjësia kolektive për të trajtuar pabarazitë themelore që përshkojnë sistemet dhe institucionet tona. Ne e vendosim barrën e suksesit ose dështimit drejtpërdrejt mbi supet e individëve, mgjs ata mund te kenë lidhje te dyshimta me politikën apo me krimin e organizuar, duke injoruar me lehtësi rolin që luajnë privilegji dhe rrethanat në formësimin e rrugëve të tyre.

Duke mbështetur këtë narrativë të rremë, ne përjetësojmë vetë pabarazitë dhe padrejtësitë që sistemi ynë pretendon të korrigjojë. Konceptimi I veseve si virtyte dhe anasjelltas është një nga problemet më të thella të shoqërisë sonë, e cila reflekton në politikë dhe ekonomi. Mungesa e shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura ka mundësuar tribalizmin dhe kulturen klanore tipike e shoqërive parademokratike..

Atyre të lindurve në privilegj u jepet një ndjenjë e të drejtës dhe vlefshmërisë, suksesi i tyre i atribuohet vetëm meritave të tyre, ndërsa ata që luftojnë për të mbijetuar përjashtohen si pa shtysën ose talentin e nevojshëm. Kjo narrativë, jo vetëm përforcon strukturat ekzistuese të pushtetit, por shërben edhe për të justifikuar dhe përjetësuar pabarazitë sistematike të shoqërisë sonë. Për më tepër, duke u kapur pas mitit të meritokracisë, ne e çlirojmë veten nga përgjegjësia për të trajtuar shkaqet rrënjësore të pabarazisë dhe për të krijuar mundësi të vërteta dhe të barabarta për të gjithë. Ne bëhemi të vetëkënaqur, të kënaqur me iluzionin e drejtësisë, ndërkohë që mbyllim një sy ndaj realiteteve të ashpra që kundërshtojnë këtë narrativë.

Në Shqipërinë komuniste të pas luftës së dytë botërore komunistët e shfrytëzuan Darvinizmin Social duke i dhënë atij ngjyrim ideologjik nëpërmjet luftës së klasave. Nëpërmjet luftës së klasave komunistët donin të justifikonin padrejtësitë e tyre ndaj kundështarëve të tyre politikë si edhe grabitjen e pasurisë të shumë biznesmenëve dhe tregëtarëve të suksesshëm të kohës, të cilët kundështuan komunizmin. Gjithashtu nëpërmjet luftës së klasave ata donin të justijikonin pabarazinë e re të krijuar nga pashallarët e kuq në kurriz të njerëzve të thjeshtë që i kishin shndërruar në skllevër modernë.

Në se Darvinizmi është shkencë dhe produkt i teorisë së Darvinit të përmbledhur më së miri si “mbijetesa e më të përshtatshmit”, Darvinizmi Social është pseudo-shkencë dhe ka shërbyer si një bazë e komunizmit dhe ideologjisë nacional-socialiste (naziste). Ndyshimi më themelor që autokratët, diktatorët dhe komunistët në Shqipëri, por edhe kudo në botë, harrojnë me qëllim është se konkurenca e pandershme për njerëzit, ose darvinizmi në natyrë, është ligji i xhunglës, ndërsa kooperimi është ligji i civilizimit. Shqipëria pas përmbysjes së diktaturës komuniste kaloi në një sistem demokratik të stilit perëndimor ose më saktë një kopje e shëmtuar e tij. Demokracia në vetvete nuk funksionon, biles është e dështuar. Janë institucionet që bëjnë të mundur funksionimin e saj dhe më e rëndësishmja është se këto institucione duhet të jenë të pavarura. Shqipëria edhe sot vazhdon të ketë institucione të varura nga politika, biles edhe biznesmenët e suksesshëm përcaktohen nga politika. Kjo e kualifikon Shqipërinë si një vend tipik ku mbretëron darvinizmi social dhe politik, ku suksesi i individit përcaktohet nga lidhjet e ngushta me politikën dhe anasjelltas. Mungesa e garës së hapur në partitë politike, në postet shtetërore si edhe tenderat publikë e ka kthyer vendin tonë në një republikë bananesh ku mbretëron ligji i xhunglës dhe aspak ligji i kooperimit apo i civilizimit. Drejtësia e re e aplikuar në vend po nxjerr në pah Darvinizmin Social dhe politik në vend, kulturën bizantino-komuniste të shoqërisë sonë, por edhe emergjencën e ndërrimit të elitave në Shqipëri. Ngjarjet e kohëve të fundit në qeveri, ku “ministrat hanë dardha pas kurrizit të Ramës”, apo divorci fiktiv ose jo i ish presidentit, si edhe përpjekjet për trashëgimin e Partisë Demokratike te anëarët e familjes tregon se e gjithë kjo tallava është kthyer në një tragjedi për elitën egzistuese, në një komedi por edhe shpresë për popullin, por edhe në një domosdoshmëri për ndërrimin e elitave nqs mund t’i quajmë të tilla.

Jeta nuk është kurrë perfekte. Do të ketë gjithmonë disa elementë të padrejtë në realitet. Shoqëria, politika dhe institucionet e pavaruara duke patur në qendër humanizmin dhe individualizmin duhet të krijojnë fillim sa më të barabartë dhe rezultati do të përcaktohet nga talenti.

Scroll to Top