JiL.al - Jeto i Lumtur

Për inatin tim..

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Për inatin tim
po bëhesh më e bukur,
Me ata sy jeshilë
si thellësia e deteve!
Për inatin tim
vjeshtës i dhe urdhër,
Të ndalojë përkohësisht
bjondimin e pemëve!

Për inatin tim
vazhdon të më duash,
Që të më largosh
nga krahët e erërave!
Ti po bën atë
që bëri Odiseu,
Për të mos dëgjuar
këngën e sirenave!

Për inatin tim
po bëhesh më e vogël,
Madje vetëm me ndryshimin
e formës së flokëve!
Për inatin tim
seç ke një të qeshur,
(Niagara do kish zili
po ta dëgjonte!)

Për inatin tim
vazhdon të më puthësh,
Duke larguar prej meje
gjithë dimrat!
Për inatin tim
vazhdon të më mundësh,
Duke bërë atë që bëjnë
vetëm tigrat!

Skender Rusi

 

Jeto I Lumtur

Scroll to Top