
Tiranë, 31 mars 2025 – Shqipëria vijon të ketë nivelin më të ulët të pagave në rajon, pavarësisht rritjeve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, kategoria më e madhe e të punësuarve në vend merr paga bruto midis 60 dhe 95 mijë lekësh në muaj.
Plani trevjeçar për rritjen e pagave në sektorin publik ka ndikuar në ndryshimin e strukturës së të punësuarve sipas nivelit të pagës. Në tremujorin e fundit të vitit 2024, 24.6% e të punësuarve merrnin një pagë bruto midis 60.001 dhe 95.000 lekësh, duke përbërë kategorinë me peshën më të madhe. Ndërkohë, punonjësit me pagë minimale përbënin 14.2% të totalit, një rënie nga 24.5% në tremujorin e tretë të 2024 dhe 26% në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Po ashtu, është rritur përqindja e të punësuarve me paga më të larta. Punonjësit me paga bruto nga 95.001 deri në 120.000 lekë përbënin 12.8% të totalit, nga 7.7% që ishin një vit më parë. Ata me paga mbi 120 mijë lekë arritën në 14.1% të totalit në fund të 2024, nga 10.7% në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri gjatë tremujorit të katërt të 2024 ishte 83.401 lekë, me një rritje prej 11.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023. Në sektorin publik, paga mesatare bruto arriti në 100.4 mijë lekë, me një rritje vjetore prej 14.3%, ndërsa në sektorin privat paga mesatare mujore bruto ishte 76 mijë lekë, me një rritje prej 9.5%.
Kryeministri njoftoi se paga minimale zyrtare pritet të arrijë 500 euro në fillim të vitit 2026 nga 400 euro që është aktualisht, me synimin për të nxitur edhe një rritje në sektorin privat. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një rritje e pagave pa rritje të produktivitetit mund të rrisë kostot e prodhimit dhe të ulë konkurrueshmërinë e produkteve vendase.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Shqipëria mbetet vendi me pagat më të ulëta në rajon dhe në Europë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin