Një tjetër hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian: Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik europian të pagesave. Po ashtu u bë vend anëtar i SEPA, edhe Mali i Zi.
Kjo do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025.
Bëhet fjalë për miliona e miliona euro të kursyera nga detyrimet mbi dërgesat, kjo pasi Shqipëria u pranua në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Vendimi u mor sot nga Këshilli Europian i Pagesave.
Jo vetëm do të ketë komisione shumë më të ulëta, por edhe koha do të jetë më e shkurtër nga disa ditë në brenda një dite pune për procesimin e parave.
Për kryeministrin Edi Rama, që reagoi sot për ngjarjen, kjo erdhi prej rritjes së besimit tek Shqipëria dhe afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë drejt majës së anëtarësimit në BE.
Për këtë zhvillim reagoi edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
Sipas BE-së, ky është një shembull praktik i ndikimit të Planit të Rritjes, një nismë e BE-së për të përshpejtuar integrimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor në BE, duke përfshirë aksesin progresiv në zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së bazuar në përafrimin me acquis të BE-së.
“Si rezultat i vendimit të Këshillit Evropian të Pagesave, ofruesit e shërbimeve të pagesave të këtyre dy vendeve do të kenë mundësinë t’i përmbahen skemave të ndryshme SEPA pasi institucionet tregtare individuale t’i përmbahen skemave, të jetë pjesë e një procesi të veçantë të menaxhuar nga EPC.”, thuhet në njoftim.
Shqipëria kishte aplikuar për anëtarësim në SEPA më 13 qershor 2024 dhe ishte vendi i parë aplikues ndër vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë BE.
Me hyrjen në fuqi më 1 janar 2025 të anëtarësimit, shqiptarët përfitojnë nga lehtësi pagesash, si në kursim financiar dhe kohëzgjatje shumë më të shkurtër
Banka Botërore ka pohuar se deri sot një pagesë nga Shqipëria drejt zonës SEPA kushton gati 10 herë më shumë se një pagesë brenda kësaj zone me 36 vende anëtare dhe për më tepër transfertat kërkojnë disa ditë pune.