Efektet emocionale të prodhuara nga tradhtia, për më tepër kur bëhet fjalë për atë që vjen nga partneri, janë shkatërruese dhe mund të na shkaktojnë një gjendje të ngjashme me atë të ndodhur nga një sëmundje ose nga humbja e parakohshme e dikujt: mungesa e oreksit, depresioni i mprehtë, lodhja e tepërt, zemërim, frustrim, vuajtje fizike dhe psikike, humbje të besimit në vetvete dhe në atë që kemi rrotull.
E vërteta është se, në një mënyrë ose një tjetër, të gjithë fshehim një pjesë të asaj që jemi në të vërtetë. “Maskojmë” personalitetin, të kaluarën, për të pasur një imazh më të mirë në sytë e të tjerëve. Themi se preferojmë të vërtetën, por jo gjithmonë mund të shohim realitetin ashtu siç është dhe nuk mund ta pranojmë një njeri ose një situatë me të gjitha pjesët e saj negative.
E vërteta është se në shoqërinë në të cilën jetojmë sinqeriteti absolut është një utopi. Shpeshherë, e vërteta thuhet vetëm pjesërisht dhe disa informacione janë të mënjanuara qëllimisht për të mos dështuar në disa projekte ose marrëdhënie. Por, kjo nuk do të thotë se tradhtojmë dhe për këtë është mirë të bëjmë një dallim korrekt. Mund të flasim për tradhti kur njëri në thotë një gjë dhe bën tjetër gjë, kur njëri luan një rol për të pasur përfitime nga ne, kundër nesh, kur jemi të gënjyer dhe të manipuluar nga njerëzit të afërt.
Në këto situata, shoku emocional është direkt proporcional me përfshirjen tonë afektive dhe besimin që kishim pasur me personin në fjalë. Në çastet e para, pas zbulimit të së vërtetës, janë më të vështira për t’u tejkaluar, prandaj është më mirë të censurojmë ndjenjat! Kur na vjen të ulërijmë, është më e shëndetshme ta bëjmë këtë gjë se sa t’i ndalojmë ndjenjat, nëse duam të izolohemi dhe të qajmë, të veprojmë!
Sigurisht, manifestimet në publik nuk janë në avantazhin tonë, por mund të nisemi për një pushim të shkurtër për të shëruar brendësinë tonë. Nëse e varrosim dhimbjen, të mos presim që ajo të kurohet vetvetiu, sepse kjo nuk ka për të ndodhur! Shoku që pëson pas një tradhtie, atëherë kur zbulojmë se diçka që dinim ose besonim ndodhet në polin e kundërt, është ndjekur nga ndjenja e vetëfajësimit dhe shkatërrimit të besimit në vetvet.