Si ndryshoi jeta e Luiz Ejllit pas hyrjes në BBV! Nga borxhet, tek kontratat e majme që e presin jashtë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Kur u bë pjesë e “Big Brother” mbrëmjen e 24 dhjetorit, ndoshta Luiz Ejlli nuk e dinte se çfarë e priste. Këngëtari e shfrytëzoi këtë mundësi si “shpresa” e fundit për të gjetur treg në vendin tonë, por duket se fitoi shumë më shumë se kaq.

Mbrëmjen e sotme, do të mbahet edhe finalja e spektaklit, ku të gjitha sondazhet e nxjerrin fitues të këtij formati. Por edhe nëse nuk ndodh kështu, Luiz Ejlli ka fituar tashmë shumë.

Ashtu si vetë këngëtari nga Shkodra bëri me dije, kur u bë pjesë e lojës, humbi punën dhe la jashtë një sërë borxhesh që e prisnin. Por, teksa kanë kaluar më shumë se 3 muaj brenda shtëpisë, vihet re një transformim rrënjësor i Luizit dhe sigurisht që është për mirë.

Ndryshimi duket si në “look” ashtu edhe në sjellje. Nëse në javët e para Luizi kishte armë të fortë vetëm batutën, tani në fund të këtij edicioni ai është “armatosur deri në dhëmb”, duke pasur shumë tipare që po pëlqehen në publik.

Ejlli ka ditur të ndryshojë për mirë sjelljen, dhe qëndrimin, kjo falë edhe kuratorëve të imazhit të tij. Ai është shndërruar sot në djalin trendi që shumë të rinj po e kopjojnë. Mjafton të përmendim momentin kur Luizi leu flokët biond dhe shumë shpejt trendi u përhap në masë te të rinjtë shqiptarë të cilët vrapuan “ta kopjonin”. Ndryshimi vihet re edhe në stilin e veshjes.

Ndonëse erdhi në lojë me shumë pak veshje dhe ashtu si ai vetë e tha këto ishin gjithçka që kishte. Duke lënë mënjanë kostumet e burrave demode, Luizi tashmë vlerësohet nga ekspertët e stilit si një nga banorët e veshur më mirë brenda shtëpisë. Dhe në fakt, a e dini sa kushton vetëm një prej kamishave që këngëtari ka veshur në spektakël?

Këmisha mban firmën “Prada” dhe kushton plot 1050 euro. Kostumet sportive, aksesorët, këmisha dhe palltot që janë në gardërobën e Luizit, tashmë vjen mijëra euro, duke u shndërruar në një ndër imazhet më të kuruara të vendit tonë. Por jo vetëm veshjet firmato janë ato që do të ndryshojnë jetën e Luizit. Të gjithë po presin me shumë interes edhe dasmën që ai dhe Kiara do të mbajnë mbrëmjen e finales në “Big Brother”.

Jashtë po përgatiten detajet e fundit nga kjo ceremoni, që pritet të mbajë mbërthyer miliona shikues. Ceremonia civile do të zhvillohet në natën finale, ku dyshja do ti thonë zyrtarisht njëritjetrit “Po”. Vetë Kiara ka pranuar të ndajë disa detaje nga ajo çfarë pritet të ndodhë mbrëmjen e sotme.

“Do ia lëmë pak magjinë asaj nate. Nuk do t’i themi të gjitha. Dëshmitare do të kem tezen time që është njeriu më i rëndësishëm. E kam motër, e kam familje, e kam gjithçka”.

Por, a e ka gjetur fustanin e bardhë për natën e paharrueshme?

“Kam provuar disa fustane. Kam thënë që dua një fustan të gjatë, por kam ndryshuar mendim. Ndoshta do të vij me diçka krejt tjetër”, përgjigjet moderatorja në “Fan Club”, që zbulon edhe takimin që ka pasur këto ditë me nënën e të dashurit të saj.

“E kam takuar. Është një zonjë shumë fisnike, shumë e mirë, ma hoqi pak mallin e Luizit. Nuk gënjente kur thoshte që jemi i njëjti tip”, u shpreh Kiara për bashkëshortin e saj të ardhshëm.

Por veç dashurisë, Luizi ka gjetur edhe një “minierë ari” në këtë “Big Brother”, duke u konfirmuar si personazhi më i pëlqyer dhe më i ndjekur në rrjetet sociale. Vetëm pak kohë më parë, ai firmosi një kontratë me “Top Channel”, ku të gjitha të drejtat e imazhit të tij do të menaxhohen nga Top-i.

Kontrata e majme mendohet se kap vlerën e 100 mijë euroshe. Ndërkohë, një tjetër biznes për Luizin është edhe “Instagram”-i. Edhe pse ende është pjesë e lojës, biznese kanë nisur bashkëpunimet me faqen e tij të “Instagram”-it, ku një postim arrin deri në 3 mijë euro.

Të shumta janë bizneset “në radhë” për t’u publikuar në faqen e tij. Gjithashtu, bizneset kanë nisur bashkëpunimet edhe me Luizin brenda shtëpisë. Të gjitha këto janë dhurata nga bizneset, që ndonëse është e ndaluar t’ia përmendin emrin, nuk kanë ngurruar t’i çojnë veshje të kushtueshme brenda shtëpisë. Vetë artisti ka rrëfyer historinë e jetës së tij, duke u ndalur tek dështimet dhe mundësia që po i vjen për herë të dytë. Ai foli edhe në lidhje me Kiarën, dhe se tani do të krijojë një familje me të.

“Mu jeta m’i dha të tana. M’i dha në një moshë të re, që nuk dita me i shfrytëzu, s’disha ça kam, s’disha ça mund të arrij. Dhe po kjo jetë më rrëzoi, tani qëllimi im është me u rigrit. Se prandaj rrëzohemi në jetë, për me msu me u ringrit, po s’u ringrite…nëse do e arrij e di që do të jetë një gjë shumë e mirë. Se më kujtohet vetja ku kam qenë mirë, gabimet që kam bo, njerëzve që më kanë shfrytëzu, e sot në këtë moshë nuk mund të ndodhë më.

Tani s’ka shans, plus që të thashë, tani jam në një fazë që çdo gjë e mendoj dyfish, për veten dhe për Kiarën. Se du me kriju familje me të, nuk du me mendu vetëm për veten, me vu dorën pas qafe edhe me nejt me u shtri. Prit se kam detyrime, jo se më detyron kush, por janë detyrime njerëzore, që i bëj me dashni, kështu që janë përgjegjësi, më duhet me i mendu dyfish”, u shpreh Luizi.

Për sa i përket karrierës së tij muzikore, shumë artistë po “presin në rradhë” që të kenë një bashkëpunim me të. I pari ka qenë Armaldo Kllogjeri, që ka thënë se jashtë do të donte të bënte një këngë me Luizin. Por, planet e këngëtarit janë të tjera. Teksa ndodhej në shtëpinë e BBVA duke dëgjuar këngën e re të Noizyt me Yll Limanin nga albumi “Alpha”, Luizi tha: “Me shumë gjasa Noizy do thotë se ‘E dua fort Luizin’. E para, unë nuk jam përzier kurrë në konfliktet që kishin këta me grupet e tjera. Po të bëj një këngë me Noizyn unë, çfarë mendoni ju? O Gels, ta bëjmë një këngë zemra? Ta hënksha zemrën! Dhe do bëhet klipi në makinë cabrio. Vetëm duke ecur!…. Kur të them unë ‘Noizyy’, ti do thuash ‘çapaçule’…”, tha Luizi.

Nga ana tjetër, edhe Noizy e ka treguar shpeshherë mbështetjen e tij për Luizin. Reperi ka publikuar një video të tij duke kërcyer me këngën “JM2” dhe shkruan krah saj: “O çapaçul, ta dish ti sa viral je bërë me këtë këngë (Jena Mbretër 2)! Fitore!”, veç artistëve, edhe klubet kanë bërë gati ofertat e majme për këngëtarin.

Ashtu si vetë menaxherët janë shprehur, prania e tij në një natë “live” është bërë tashmë si një ankand, ku shifrat arrijnë deri në 10 mijë euro. Dhe të gjitha këto shifra, teksa Luizi ende nuk është shpallur fitues i këtij edicioni.

Scroll to Top