Çfarë dihet për grupin terrorist që dyshohet se qëndron pas sulmit në sallën e koncerteve në Moskë? Ka akuza të ndryshme se kush qëndron pas sulmit…
Menjëherë pas sulmit në sallën e koncerteve Crocus City Hall në Moskë të Rusisë natën e 22 marsit, përgjegjësia për krimin u mor nga një degë e të ashtuquajturit Shteti Islamik, i cili e quan veten “Shteti Islamik Provinca e Khorasanit” (ISIS-K).
Deklarata u publikua nga agjencia e lajmeve Amaq e lidhur me ISIS dhe u shpërnda në platformën e mesazheve Telegram.
Kush qëndron pas ISIS-K?
ISIS-K ka një reputacion si një nga degët më të dhunshme të IS. Grupi terrorist xhihadist transnacional ka vrarë mijëra njerëz në sulme në Afganistan dhe Pakistan që nga viti 2015.
Emri i grupit rrjedh nga Khorasan, një emër i lashtë për një zonë që përfshin pjesë të Iranit, Turkmenistanit dhe Afganistanit, megjithëse aktivitetet e tyre shtrihen përtej këtij rajoni.
ISIS-K u themelua në vitin 2014 nga një grup të larguarish talebanë dhe anëtarë të Al-Kaedës në Pakistan dhe Afganistan. Grupi mbron një interpretim të dhunshëm të xhihadizmit.
Në vitin 2015, grupi e përshkroi zyrtarisht veten si një degë e ISIS në rajonin e Khorasanit. Ashtu si ISIS, ISIS-K synon të krijojë një kalifat transnacional, një shtet për myslimanët që qeveriset nga interpretimi i tyre radikal i Islamit.
A ka kontakte me grupe të tjera xhihadiste?
Analistët i përshkruajnë si të ndërlidhura raportet midis anëtarëve të ISIS-K dhe grupeve të tjera terroriste, ku ka mospajtime dhe fraksione të ndryshme si Al-Kaeda dhe talebanët që shpesh dezertojnë nga këto grupe dhe kalojnë në ISIS-K.
Përpara se talebanët të rimerrnin pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, si SHBA ashtu edhe ish-qeveritare afgane luftuan kundër ISIS-K në Afganistan dhe vranë shumë nga udhëheqësit e mesëm dhe të lartë të kësaj organizate.
Megjithatë, vakuumi i sigurisë i krijuar nga tërheqja e SHBA-së i dha këtij grupi një hapësirë të re. Kjo i mundësoi asaj të krijonte kampe të mëtejshme trajnimi dhe të zgjeronte rrjetet ndërkombëtare.
Raportet me talebanët
Talebanët thonë se po përpiqen të frenojnë aktivitetet e ISIS-K dhe pretendojnë se forcat e tyre të sigurisë kanë arrestuar mijëra anëtarë të grupit që kur talebanët u kthyen në pushtet.
Megjithatë, aftësia e talebanëve për të frenuar grupin është parë në raportet e mediave si joadekuate dhe joefektive pasi sulmet nga grupi ndaj pakicave etnike dhe fetare në Afganistan janë bërë më të shpeshta.
Kombet e Bashkuara kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin se grupe të tilla si Al-Kaeda dhe ISIS-K, përmes lidhjeve të tyre me anëtarët e talebanëve, mund të përfitojnë dhe të posedojnë armët më të avancuara të NATO-s, që kanë lënë pas vete trupat ndërkombëtare kur janë tërhequr nga Afganistani. Sipas OKB-së, vendi është kthyer në një strehë për ta për shkak të mungesës së mbikëqyrjes së sigurisë.
Aktivitetet e fundit të ISIS-K
ISIS-K mori përgjegjësinë për vrasjen e 95 njerëzve në qytetin iranian Kerman më 3 janar 2024. Agjencia raporton se, si në sulmin e fundit në Moskë, shërbimet sekrete amerikane paralajmëruan qeverinë në Teheran disa javë përpara për përgatitjen e një sulmi.
Që nga ringjallja e tij e fundit, grupi e ka përqendruar gjithnjë e më shumë vëmendjen e tij në Rusi. Në mars, zyrtarët e inteligjencës amerikane treguan se grupi ishte aktiv në Rusi dhe se po planifikonte sulme në Moskë.
Shërbimi rus i sigurisë FSB njoftoi se parandaloi sulmin e armatosur të grupit më 7 mars në një sinagogë në rajonin Kaluga pranë Moskës.
Sipas ekspertëve, një nga motivet e sulmeve terroriste ndaj Rusisë mund të jetë ndërhyrja ruse në luftën civile siriane. Moska, sipas ekspertëve, mbështet presidentin sirian Bashar al-Assad dhe ka kryer sulme ajrore në pozicionet e ISIS. Shumë udhëheqës të ISIS-it që atëherë e kanë akuzuar Putinin se ka gjakun e muslimanëve në duart e tij.
Propaganda e ISIS-K bazohet gjithashtu në historinë e pushtimit sovjetik të Afganistanit. Qeveria e Bashkimit Sovjetik e pati pushtuar vendin nga viti 1979 deri në vitin 1989.
Grupi po përpiqet të kryejë sulme terroriste edhe në Evropë. Policia gjermane ka arrestuar disa mbështetës të ISIS-K në vitet e fundit. Kohët e fundit, në mars, dy mbështetës të dyshuar të Shtetit Islamik u arrestuan në landin NRW. Ata u akuzuan për planifikimin e një sulmi në parlamentin suedez.
Pas sulmit në Moskë, ministrja gjermane e Brendshme Nancy Faeser, e cituar nga DW deklaroi se ky grup aktualisht përfaqëson kërcënimin më të madh islamik në Gjermani dhe se rreziku i sulmeve terroriste në Gjermani mbetet i madh.
Pas sulmit në Moskë, Franca deklaroi ka shpallur gjendjen më të lartë të gatishmërisë kundër sulmeve terroriste. Gjendja më e lartë e gatishmërisë shpallet në Francë kur supozohet se ekziston një kërcënim i real për një sulm të menjëhershëm terrorist.
Udhëheqësit e ISIS-K kanë kërcënuar se do të ketë sulme hakmarrëse kundër Suedisë, Holandës dhe Danimarkës për shkak të djegies së Kuranit në këto vende.